Presidenti Begaj ka reagua i tronditur në lidhje me ngjarjen e rëndë në Gjykatën e Apelit ku u ekzekutua me armë zjarri në sallën e gjyqit gjyqtari Astrit Kalaja.
Kreu i shtetit e cilëson ngjarjen një akt makabër kundër sistemit dhe paqjes sociale.
“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e pa tolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja.
Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale.
Në emër të shtetit i gjendem pranë familjes së të ndjerit dhe kolegëve të tij të afërt e të largët, si dhe shpreh solidaritetin e plotë të shqiptarëve me dhimbjen e pakufishme për humbjen”, shkruan Begaj. (A2 Televizion)