Mosbindja civile këtë herë nisi nga “Rruga e Elbasanit”. Shpulla si fillim e më pas grushtet e Flamur Nokës që hasën skafandrën e një prej policëve të vendosur aty për mos lejuar protestuesit të bllokonin qarkullimin e automjeteve shënjuan aktin e parë të “tre orëve protestë.”
Në përpjekje për të thyer gardhin e krijuar nga forcat e policisë me anë të shtyrjeve “trup më trup”, një protestues humbi ndjenjat. Pas shoqërimit me ambulancë të të lënduarit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka e shfryu inatin mbi zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga.
“Unë ty personalisht do të të shtyp në çdo aspekt”, iu drejtua Noka, shkruan A2 CNN.
Bizhga u përgjigj: “Dëgjo! Unë i kam shërbyer 34 vite këtij shteti, majtas dhe djathtas. Unë jam në punë”.
“Ti i shërben bandave dhe jo pushtetit. Ti i shërben krimit. Ti nuk ke lidhje me fytyrën e këtyre policave. Ti je pasqyrë e një krimi. Ti je pasqyrë e horrave, s’je polic ti”, iu kthye sërish Noka.
Ndërkohë, një tjetër vatër proteste kishte marrë jetë përballë godinës së Bashkisë Tiranë. Një automjet i policisë nuk e kurseu ujin me presion mbi turmën e protestuesve, duke zgjuar kështu edhe më shumë zemërimin dhe vendosmërinë e këtyre të fundit për të bllokuar rrugën.
Me gjithë temperaturat e ulëta, “mosbindja civile” e opozitës para bashkisë vijoi, ndaj policia nisi të hedhë gaz lotsjellës. I lënduar mbeti edhe deputeti demokrat, Belind Këlliçi.
Një situatë më e qetë shoqëroi vatrat e tjera ku ishin mbledhur protestues të opozitës për të bllokuar rrugët si Unaza e Vogël, sheshi “Wilson” dhe ai ashtuquajturi “Pallati me Shigjeta”.
“Nuk është bllokim, jemi te vijat e bardha, juve keni një detyrim të garantoni tubimin paqësor qytetar dhe të merrni masa për rregullimin e transportit. Devijojini ju, bëni detyrën tuaj, ne bëjmë detyrën tonë”, tha Bardhi.
Ndërkohë, nga aksi rrugor që përshkon Pallatin me Shigjeta e që shkon drejt Rrugës së Kavajës, ish-kryebashkiakut të Shkodrës, Bardh Spahia, iu desh t’i rikthehej profesionit të tij të mjekut për të ndihmuar një protestues që kishte humbur ndjenjat.
Ndërkohë, te sheshi “Wilson”, qendra e vëmendjes së “mosbindjes civile” të opozitës u bë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë. Pasi nuk arriti dot të ndalonte automjetin ujëhedhës të policisë, Tedi Blushi hipi dhe qëndroi mbi të, çaste të cilat u shoqëruan nga shikimet e banorëve të zonës të cilët kishin zgjedhur ta ndiqnin protestën nga dritaret e banesave të tyre.
Por, pas ujit me presion nën temperaturat e ulëta të kësaj fundvjeshte, protestuesit e mbledhur për të bllokuar rrethrrotullimin e sheshit “Wilson” ishin të parët që u dorëzuan. “Çlirimi” i rrugëve u pasua me rreth-rrotullimin e Zogut të Zi, Rrugën e Elbasanit, Pallatin me Shigjeta dhe Unazën e Vogël.
Me saktësinë e një ore zvicerane, tre orët e mosbindjes civile u përmbyllën nga godina e Bashkisë Tiranë.
Belind Këlliçi mbajti fjalën përmbyllëse: “Tentuan sot t’ju dhunonin, ju goditën, lagën, ju fyen, por nuk u tërhoqët. Mirënjohje për juve qytetarët që në 5 pikat kryesore dhatë mesazh të qartë, të vendosur përballë regjimit të Ramës. Nëse keni menduar se me pinjollët e diktaturës do ndalni opozitën dhe PD-në e kemi gabim. Ne do vijojmë betejën tonë protesta në Tiranë dhe çdo cep të Shqipërisë.”
Më herët, deputetja Dhurata Çupi deklaroi se janë disa qytetarë të shoqëruar dhe disa të lënduar.
Protesta nisi në orën 17:00 me përplasje dhe tensione mes protestuesve dhe policisë. Kjo e fundit kishte njoftuar PD-në se bllokimi i rrugëve përbën vepër penale, çka është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës.
Gjatë kësaj proteste ishin të angazhuara rreth 1 mijë forca policie në 5 pikat kryesore të Tiranës. (A2 Televizion)