“Po regjistrohen edhe të vdekurit”, Berisha, akuza nga ballkoni i shtëpisë për censin e popullsisë

Nga A2 CNN
28 Maj 2024, 23:26 | Politikë

Në ditën e 148 të arrestit shtëpiak, Sali Berisha akuzoi qeverinë se po shtyn publikimin e rezultateve të censit të popullsisë dhe banesave me qëllim fryrjen e shifrave.

Teksa e etiketoi si “armik të egër”, Berisha tha se kryeministri Edi Rama ka urdhëruar të regjistrohen si pjesë e popullsisë edhe personat që kanë humbur jetën. 

“Miqtë e mi, Edi Rama shtyu përsëri publikimin e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës. Sikur shqiptarët të mos ishin njerëz, por të ishin banorë të një pularie. Të ishin banorë të një stalle. Dhe ky armik i egër, ky Çubrilloviç i shqiptarëve, që shpopulloi këtë tokë më shumë se çdo pushtues tjetër, ka 6 muaj që regjistron si të gjallë të vdekurit tanë. Ka 6 muaj që shndërron regjistrimin e popullsisë në regjistrat e Çiçikovit, një personazh i Nikola Gogolit. Ka 6 muaj që përpiqet të fshehë krimin më makabër të kryer në histori ndaj kësaj toke, zhbërjen, shpopullimin e 1.1 milion shqiptarëve në qeverisjen e tij 10-vjeçare. Miqtë e mi, nuk ka akt tradhtie më të lartë se kjo. Nuk ka krim më monstruoz kundër shqiptarëve se ky. Nuk ka shërbim më të madh ndaj armiqve të kombit se sa ky shpopullim. Nuk ka ndëshkim mbi tokë që nuk meriton Edi Rama për këtë shpopullim të tmerrshëm që rendit Shqipërinë fill pas Sirisë”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos