Policia ishte agresive në mëngjes. Kështu u shpreh në një lidhje me Off the Record me Andrea Dangallin në A2 CNN, protestuesi Ilir Xhemala, në përgjigje të pyetjes së gazetarit Anri Bala, i cili i kërkoi t’i shpjegonte sepse protesta ishte bipolare, paradite e dhunshme dhe pasdite e qetë.
“Pasdite zoti Rama nuk ndodhet në zyrë, kurse paradite aty janë të gjithë deputetët dhe zoti Rama. Dhe dhuna sot ka filluar në momentin që zoti Rama ka hyrë në parlament. Në momentin që makinat e eskortës së tij u futën në parlament, policia mori urdhër të na shtynte dhe na ka shtyrë dhe radhën e parë, unë e kam të filmuar dhe e kam dorëzuar te Komiteti i Helsinkit. Ne kemi qenë ulur në shesh përpara parlamentit. Ulur në shesh dhe kanë dhënë urdhër na kanë ngritur zgupthi nga sheshi”, u përgjigj protestuesi.
Nga ana tjetër, gazetari Anri Bala tha se janë përdorur fëmijët në protestë.
“Sot në mënyrë të shëmtuar për aq sa pashë unë janë përdorur fëmijë në protestë”.
Përgjigjen për këtë deklaratë e mori nga aktivistja Edli Çepani.
“Mos e përdor fjalën përdoren. Unë jam dakord që fëmijët, prindërit, të moshuarit, gratë, burrat dhe djemtë të kenë të drejtën e tyre për të protestuar siç e ka kushtetuta e Shqipërisë. Nuk janë përdorur në asnjë moment si mburojë”, tha Çepani.
(A2 Televizion)