Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, u shpreh se demokratët duan të fitojnë dhe do të bëjnë gjithçka për të fituar, duke nisur nga gara për Bashkinë e Tiranës.
Sipas tij, PD-ja është gati për të zgjedhur kandidatin më të pëlqyer dhe që do të ketë mbështetjen e të gjithë faktorëve opozitarë, përfshirë faktorët e protestës.
“Ka propozime, vetëpropozime deri tani, çka tregon një farë entuziazmi dhe pritshmërie për të fituar, por duhet edhe të kemi edhe realizmin për të kuptuar të gjithë faktorët e përfshirë. Sa më shumë kandidatura të ketë në kampin opozitar, aq më shumë ulen edhe shanset për fitore nëqoftëse nuk do të ketë dakordësi për të mbështetur një kandidaturë që gëzon popullaritetin më të madh ose mbështetjen më të madhe të gjithë spektrit opozitar. Në këtë kontekst ka qenë edhe ftesa jonë për të gjithë partitë opozitare, për koalicionin opozitar në radhë të parë me të cilin e kemi dakordësuar këtë qëndrim, por edhe me partitë e tjera opozitare jashtë koalicionit opozitar, edhe me protestën dhe të gjithë faktorët që e përbëjnë atë, për t'u ulur e për të diskutuar seriozisht për garën zgjedhore, veçanërisht për Tiranën, që është bashkia më e madhe dhe që është ajo që i paraprin ndryshimit. Sepse kuptohet që një ndryshim dhe përmbysje në Tiranë do të ishte paradhoma dhe preludi i ndryshimit të madh që presin shqiptarët për pushtetin qendror dhe vazhdojmë të këmbëngulim për të patur një proces diskutimesh, në të cilin ne si forca kryesore e opozitës ulemi pa paragjykime, pa kërkuar të imponojmë një zgjedhje tonën ose një kandidaturë tonën, por të gjithë të zgjedhim së bashku atë që është figura më e pëlqyer dhe më e mbështetur nga të gjithë faktorët opozitarë, si dhe nga të gjithë faktorët e protestës”, tha Kaso në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Kur u pyet nëse eleminohen primaret me këtë metodologji, Kaso u përgjigj: “Jo, primaret janë për një proces përzgjedhës brenda Partisë Demokratike. Pra, nëqoftëse Partia Demokratike del me kandidatët e saj, sigurisht do të ketë një proces primaresh që është brenda forcës politike. Nëqoftëse Partia Demokratike del për hir të një interesi të unifikimit të frontit opozitar, veçanërisht në një garë të rëndësishme siç është gara e Tiranës, sigurisht nuk besoj që mund të aplikohet mekanizmi i primareve, që është mekanizëm jo vetëm brenda partisë, por dhe që ka tendencën të prodhojë një figurë partiake. Nëqoftëse kërkojmë unifikimin e frontit opozitar, jo domosdoshmërisht duhet një figurë partiake. Unë besoj që demokratët duan të fitojnë. Demokratët janë ata që kanë vuajtur më shumë se kushdo, më shumë se çdo shqiptar tjetër i paangazhuar, dhunën dhe keqqeverisjen e këtij regjimi, duke filluar që nga fundi i vitit 2013, ku mbi 9 000 punonjës të administratës u hodhën në rrugë dhe pasojat e të cilëve po paguhen ende edhe sot. Janë ata që kanë mbushur sheshet dhe kanë qëndruar në çdo protestë, në çdo përballje. Janë ata që të parët kanë provuar shkopin e gomës e dhunën policore, dhe vazhdojnë ta provojnë edhe sot së bashku me studentët e me qytetarët e tjerë në shesh. Kështu që, besoj se prioriteti i demokratëve është fitorja. Do bëjmë gjithçka në funksion të fitores”.
(A2 Televizion)