“Fitore, fitore”- Kryedemokrati Sali Berisha u prit Me brohorima dhe duartrokitje në Elbasan, ku prezantoi kandidatët për deputetë të PD.
“11 maji do jetë dita e dytë e verës për Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë”, deklaroi lideri i opozitës në gjatë prezantimit të kandidatëve të qarkut në pallatin e sportit të mbushur me demokratë, shkruan A2 CNN.
“11 maji do të jetë dita e përfundimit të dimrit më të gjatë 12-vjeçar që përjetuan shqiptarët. 11 maji do jetë dita e pranverës së vërtetë të demokracisë për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Berisha.
Me skuadrën që kërkon votat e qytetarëve të qarkut të Elbasanit në 11 maj pas shpine, Berisha 12 vitet e qeverisjes socialiste i portretizoi si dimër i gjatë dhe shtoi se ky qytet vetëm u shkretua.
“PD vjen para jush me një zotim solemn për të kaluar nga kjo gjendje dramatike në projektin e Shqipërisë Madhështore, e Shqipërisë së ëndrrave të djemve dhe vajzave shqiptare”, tha më tej Berisha.
Kandidatët e Partisë Socialiste i quajti si përfaqësues të krimit, ndërsa për ekipin e tij foli me superlativa ku tha sa janë garanti që do bëjnë realitet programin për Shqipërinë Madhështore.
“Ne paraqesim para jush sot kandidatë, djem, vajza, burra dhe gra fisnikë, njerëz që ju i njihni. Ne vijmë këtu me këtë ekip, i njohur për ju dhe asnjë anonim. Ne vijmë këtu me këtë ekip kandidatësh që u kanë shërbyer ju në të gjitha fushat”, shtoi Berisha.
Për ta bërë Elbasanin madhështor, Berisha premtoi ndërtim të veprave infrastrukturore.
“Elbasani madhështor fillon me ndërtimin si vepër e parë e qeverisë të bajpasit të Elbasanit. Po, po, e kam deklaruar dhe e deklaroj prapë, bajpasi i Elbasanit, autostrada Shkodër-Milot do jenë dy veprat e para që do ndërtohen me përparësi absolute nga qeverisja e ardhshme”, u shpreh Berisha.
Lideri demokrat pohoi se nëse në 11 maj marrin besimin e shqiptarëve, në qeverisje fokus të veçantë do kenë te ekonomia dhe te Shqipëria që prodhon dhe eksporton.
“Made in Albania, do jetë krenaria...”, tha Berisha, shkruan A2 CNN.
Një thirrje pati për të gjithë demokratët që të bashkohen.
“Se ju o demokratë, me Bravën nuk iu lidh asgjë”, përfundoi Berisha. (A2 Televizion)