Policia e Shtetit ka mohuar se u ka dërguar mesazhe intimiduese mësuesve dhe pedagogëve që kanë marrë pjesë në protesta. Drejtuesi i sigurise Publike Albert Nushi tha në një deklaratë për mediat se mesazhet janë dërguar nga persona ende të paidentifikuar.
“Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, disa mësuesve dhe pedagogëve u janë dërguar mesazhe në emër të Policisë së Shtetit, me përmbajtje intimiduese, ku pretendohet se ata janë filmuar nga Policia gjatë pjesëmarrjes në tubim dhe se do të kontaktohen për t'u komunikuar akuza. Sqarojmë se këto mesazhe nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim përhapjen e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve te Policia”, tha Nushi, shkruan A2.
Ndërsa për pamjet nga Rinasi dhe pretendimet se shtetas të huaj po sillen në Shqipëri për t’u mbajtur në burg, drejtuesi i policisë tha se bëhet fjalë për emigrantë që transportohen nga Italia drejt qendrës së pritjes në Gjadër: “Lidhur me pamjet e publikuara nga Rinasi, ku pretendohet se shtetas të huaj sillen në Shqipëri, për t'u mbajtur në burg, sqarojmë se këto pretendime janë të pavërteta. Bëhet fjalë për shtetas që transportohen nga Italia drejt Gjadrit, në qendrën e pritjes për emigrantët e paligjshëm”.
Nushi mohoi edhe raportimet për dorëheqje masive nga radhët e Policisë së Shtetit. Ai deklaroi se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë protestave ndaj të rinjve. (A2 Televizion)