Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të martë se Programi Kombëtar i Praktikave të Punës “është një histori e bukur suksesi e Qeverisë Shqiptare që për të nëntin vit rresht mundëson për të rejat e të rinjtë, një eksperiencë pune në ndërveprim me profesionistë karriere në administratën publike”.
Para të rinjve, Rama tha se vite më parë të rinjtë as që e mendonin se do të nisnin punë në administratë, i dukej një ndeshje e shitur, tha ai, shkruan A2.
“Në kryeministri kam takuar personalisht një numër të caktuar të atyre si ju më parë që kanë hyrë në praktikën e punës dhe filluan edhe punë. Kam dëgjuar nga ata që as që e kanë besuar që mund ta fitonin konkursin. Kanë menduar se ka qenë ndeshje e shitur.
Ka një fakt tjetër. Nëse konkurset e administratës publike do të ishin farsa, atëherë një e treta e tyre nuk do të dilte pa fitues. Dalin pa fitues pasi nuk plotësohen ato kriteret e forta që janë. Ne nuk dimë të humbim si shqiptarë, por kur nuk di të humbësh, njeriu e ka shumë të vështirë të mësojë sesi fitohet”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)