Programi për ekonominë, Berisha: Çlirojmë qytetarët dhe bizneset nga barra e tmerrshme e taksave

Nga Anesti Barjamemaj
16 Shkurt 2025, 12:13 | Politikë

Më pak taksa dhe më shumë iniciativë e lirë, këtë premtoi Sali Berisha gjatë prezantimit të programit ekonomikë të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit. Lideri demokrat premtoi se situatës emergjente që sipas tij ndodhet vendi do t’i përgjigjen me emergjencë, duke garantuar dhe siguri juridike për investimet e huaja.

I rrethuar nga specialistë të ekonomisë dhe zyrtarë të fondacionit “Konrad Adenauer”, Sali Berisha prezantoi këtë të diel programin ekonomik të Partisë Demokratike.

Lideri demokrat pohoi se nëse vijnë në pushtet pas 11 majit do të ulin taksat për qytetarët dhe bizneset.

“Ne do të çlirojmë qytetarët shqiptarë dhe bizneset nga barra e tmerrshme e taksave, nga dora e zezë e shtetit e cila shtrihet në çdo proces dhe akt të veprimtarisë të tyre se si e si t’i plaçkisë dhe grabisë”.

Sipas kryedemokratit, investimet e huaja janë ulur gjatë qeverisjes së Edi Ramës dhe problemin e shikon te mungesa e sigurisë juridike, ndaj dhe premton zgjidhje të shpejtë të kësaj situate.

“Ne do të bëjmë gjithçka që t’i japim siguri juridike këtij vendi, sot nuk ka sistem drejtësie. Sot një çështje civile kërkon 15 vite, ky është dënimi më i madh. Sot investitorët e huaj nuk investojnë dot në Shqipëri, s’mund të investojnë”.

Premtoi sërish rritje pensionesh, por Berisha pohoi se masa e parë do të jetë vendosja e minimumit jetik 200 euro.

“Do marrim çdo masë që shqiptarët të kthehen në vendin e tyre, që investimet e tyre të kenë sukses. Do bëjmë gjithçka që fermerët shqiptarë të bëhen konkurrentë me vendet e tjera. Do nxisim prodhimin dhe përpunimin në këtë sektor që janë të punësuar gjysma e shqiptarëve”.

Kreu i Partisë Demokratike pohoi se me të ardhur në pushtet qeverisja e PD, do të bëjë një auditim të plotë të 12 viteve të qeverisjes së Edi Ramës për të zbuluar se ku kanë shkuar 64 miliardë euro nga buxhetet e qeverisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos