Programi për kulturën, Berisha: Dyfishojmë buxhetin, Rama armik i artit

Nga Anesti Barjamemaj
21 Mars 2025, 15:07 | Politikë

Programi për kulturën, Berisha: Dyfishojmë buxhetin, Rama armik i

Situatën me institucionet kulturore në Tiranë, të cilat janë në rikonstruksion apo në rindërtim, Sali Berisha e konsideron si një plan kundër artit dhe kulturës. Në një tryezë me artistë dhe ekspertë të Partisë Demokratike, teksa prezantoi programin për kulturën, lideri demokrat akuzoi Kryeministrin Rama se që prej ardhjes së tij në pushtet ka nisur një betejë kundër artit, shkruan A2 CNN.

“Nisi një betejë ndër më të egrat, betejë në të cilën zhduku ose pothuajse asgjësoi të gjitha institucionet kryesore artistike të artit. Tirana është i vetmi kryeqytet në botë pa teatër kombëtar”, tha Berisha.

Kulturën e konsideron çështje të identitetit kombëtar, ndaj Berisha premton se nëse në 11 maj merr besimin e shqiptarëve, demokratët do të gjallërojnë të gjitha institucionet e kulturës, jo vetëm në Tiranë por dhe rrethe.

Mendon se buxheti është aspekti kryesor i mbështetjes së kulturës dhe artit dhe premton dyfishim të tij. “Përcaktimi i një statusi ligjor të veçantë për artistët, shkrimtarët dhe njerëzit e kulturës është një zotim tjetër i yni. Miratimi i ligjit të sponsorizimit të artit dhe kulturës në mënyrë transparente nga bizneset është një tjetër zotimi i yni”.

Berisha pohoi se arti thyen çdo barrierë dhe kufij, ndaj shton se bashkëpunimi me Kosovën do të jetë prioritet. “Një bashkërendim i plotë me autoritetet e Kosovës dhe shqiptarët e diasporës është një kusht për zhvillimin, përparimin e kulturës tonë kombëtare. Midis dy shteteve dhe universit tonë në diasporë duhet të vendoset një bashkëpunim institucional me mekanizma të përcaktuara qartë”.

Edhe për librin do të ketë lehtësira në sistemin e taksave, që sipas Berishës do të nxisë botimin e titujve të rinj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos