Teksa Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar në parim projektbuxhetin e vitit 2025 me votat e mazhorancës, deputeti opozitar Arbi Agalliu prezantoi disa amendamente.
Sipas tij, propozimet vijnë nga një grup deputetët opozitar, ku theksi vendoset tek rritja e fondit për pensionet, shtimi i buxhetit për arsimin, shëndetësinë e deri tek mbështetja më e madhe për bujqësinë.
“Propozojmë 5 përqind të GDP që të shkojë për arsimin. Ne propozojmë rritje me 30 përqind më tepër fonde për rininë dhe sportin. Ne propozojmë dyfishim të fondeve që shkojnë në arsimin profesional. Ne propozojmë në këtë amendament përqindjen që del nga buxheti i shtetit për shëndetësinë duke e çuar në 5 përqind. Ne propozojmë që të kemi rritje me 30% të fondeve në sektorin e bujqësisë. Ajo që ne propozojmë është rritja me 6 herë e fondit të indeksimit për pensionet, nga 1.6 milionë euro në 9.7 milionë euro. Po kështu, rritje me 2,5 herë për bonusin e fundvitit për pensionistët”, propozoi Agalliu. (A2 Televizion)