Nga Kamza, Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen aksionit opozitar për t’i qëndruar përballë qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Edi Rama. Ai akuzoi kryeministrin Rama se nuk lejon ngritjen e komisioneve parlamentare, duke sjellë sot ligjin ku i bën ato të pamundura për të funksionuar.
“Si kurrë ndonjëherë në 32 vite, ai kërkon të na caktojë ne kryetarin e grupit parlamentar, njëlloj si në diktaturë. Ai nuk lejon ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare. Por kur thuhet se sovraniteti i takon popullit, kjo nënkupton që ju kontrolli qeverinë. Ju e kontrolloni qeverinë nëpërmjet deputetëve tuaj, të cilëve Kushtetuta u njeh të drejtën e pamohueshme të ngritjes së Komisioneve Hetimore Parlamentare dhe për të nxjerrë në dritën e diellit të gjithë veprimtarinë e qeverisë. 8 komisione janë kërkuar. Që të 8 në mënyrën më antikushtetuese i ka mohuar, nuk ka lejuar Edi Rama. Sepse që të 8 ato në epiqendër të kontrollit kishin direkt Edi Ramën. Edi Rama ka frikë, ka tmerr nga hetimi i parlamentit. Edi Rama nuk mund të pranojë sepse me firmat ‘fët e fët, e fap, fap, fap’, ka vjedhur qindra milionë dhe miliarda”.
Berisha shprehet se beteja e nisur nga deputetët në Parlament i ka dhënë sukseset e para, por kjo mund të shumëfishohet tha ai nëse bashkohen edhe qytetarët anembanë Shqipërisë. Më tej ai tha se ‘Koha është sot! T’i përvishemi kësaj diktature dhe fitoren tonë s’e ndal forcë në botë’.
Berisha, akuzoi edhe vajzën e bashkëshortes së Ramës se ka përfituar 50 tendera me kompaninë e saj nga buxheti i shtetit. Në takimin e Kamzës, Berisha theksoi se edhe baxhanaku i Ramës ka fituar mbi 100 tendera në mënyrë të paligjshme.
“Shumë shpejt do të ju tregoj ju se 50 tendera vetëm thjeshtra, kompanitë e thjeshtrës gjë e cila është e ndaluar me kushtetutë. Nuk po flas me baxhanakun që ka 100 e ca, por ajo që është pjesë e familjes së ngushtë. Po porti i Durrësit? Në 3 mijë vjet, perandorë, mbretër, diktatorë, nuk e mbyllën portin. Ai port dhe Durrësi janë të një rëndësi jetike për njëri tjetrin. Ai port është i rëndësishëm edhe për Shqipërinë, sepse me pozicionin që ka është porta kryesore e importimit dhe eksportimit të mallrave nga Shqipëria. Tani i teket këtij. Shkoi e pa Dubain, pa dhe mbretin atje dhe tha do bëj Dubain në Durrës. Dhe për të bërë Dubain në Durrës do të marrë 1.4 mln metër katrorë tokë publike dhe portin e çon në Porto Romano”. (A2 Televizion)