Protestuesit refuzuan “Besën”, Rama: Ftesa ishte për flamingot, jo për sorrat

Nga Anesti Barjamemaj
26 Korrik 2026, 15:47 | Politikë

Dy ditë pas reflektimeve nga protesta e flamingove dhe prezantimit të projektit të quajtur Besa, me të cilin kërkoi dialog me qytetarët, Kryeministri Edi Rama ka komentur thirrjet që vijnë nga protesta se nuk duan të ulen në tryezë me të, por vetëm dorëheqjen e tij.

Sipas tij këtu ka lindur një keqkuptim, pasi thotë se s’ka kërkuar asnjëherë dialog me këtë pjesë të protestuesve.

 “Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo! Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove”, tha Rama.

Qytetarët që vijojnë dhe mblidhen çdo natë poshtë zyrës së tij i quan ana e errët e protestës, ndërsa shton se besën do të vijojë ta kërkojë te ata që i quan flamingo.

 “Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN sepse BESA jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë. Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike”, u shpreh kryeministri.

Protestuesit prej ditës kur Kryeministri prezantoi Besën në mbledhjen e grupit parlamentar i janë përgjigjur negativisht ftesës për dialog dhe kanë premtuar se do të protestojnë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos