
KQZ ka vendosur t’i japë formularët tip grupit nismëtar që kërkon mbledhjen e 50 mijë firmave për zhvillimin e një referendumi për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura. Grupi nismëtar duhet t’i mbledhë firmat deri më 31 mars 2027, ndërsa pas verifikimit të tyre KQZ do të përcaktojë datën e referendumit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të hapë fazën e parë mbi kërkesën për referendum mbi zonat e mbrojtura. Nismëtarët kanë marrë autorizimin të mbledhin 50 mijë firma që mbështesin shfuqizimin e ndryshimeve të Ligjit.
Në mbledhjen e zhvilluar këtë të enjte, Ilirjan Celibashi u bëri të ditur afatet për të paraqitur dosjen me nënshkrimet.
Për përfaqësuesin e grupit nismëtar, shfuqizimi i ndryshimeve ligjore në ligjin për zonat e mbrojtura lidhet edhe me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Nëse grupi nismëtar do të arrijë të dorëzojë dosjen KQZ do të vijojë me vlefshmërinë e firmave dhe më tej diskutohet data e thirrjes së shqiptarëve në votë.
Vendimi i KQZ vjen në ditën e 82 të protestës e njohur si “Revolucioni i Flamingove” ndërsa më herët ligji është kërkuar që të shfuqizohet edhe në Gjykatën Kushtetuese, por trupa më e lartë nuk pranoi argumentet e PD. (A2 Televizion)