
Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhënien e qeverisë me qytetarët dhe nismën “Besa”, gjatë një interviste në podkastin “Flasim Shqip”.
Rama tha se pavarësisht se qeveria ka bërë shumë gjëra gjatë periudhës së fundit, ka dëgjuar më pak qytetarët dhe nuk ka komunikuar sa duhet me ta. Sipas tij, “Besa” synon ta çojë këtë marrëdhënie në një stad të ri, përmes një sistemi që do të krijojë gjurmueshmëri, përgjegjësi dhe llogaridhënie konkrete.
“Nuk është problem komunikimi. Jemi një qeveri që në periudhën e fundit kemi bërë shumë gjëra, por kemi dëgjuar pak, s’kemi komunikuar shumë. ‘Besa’ është një përpjekje që kjo marrëdhënie të hyjë në një stad të ri. Është i gjithi një sistem që do kërkojë kohën e vet, por do ngrihet hap pas hapi, duke krijuar gjurmueshmëri do krijojë përgjegjësi. Përgjegjësi të identifikueshme dhe llogaridhënie konkrete”, tha Rama.
Kryeministri shpjegoi edhe mënyrën se si synohet të funksionojë sistemi, duke përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale për ndjekjen e kërkesave dhe ankesave të qytetarëve.
“Nëse ke bërë këtë kërkesë dhe ankesë dhe s’ke marrë përgjigje, në atë ekranin e madh të problemeve inteligjenca artificiale do bëjë që institucioni përgjegjës për mos përgjigjen të lajmërohet dhe ai që është përgjegjës drejtpërdrejt në zyrë të japë llogari”, u shpreh ai.
Rama tha gjithashtu se “Pasqyrën” synon ta shndërrojë në ligj, duke e lidhur atë me sistemin e bashkëqeverisjes.
“‘Pasqyrën’ ne do ta bëjmë ligj. Kemi një ligj për bashkëqeverisjen, bashkëqeverisja ka funksionuar për pjesën që kishte, por tani kemi kapacitetin e AI-së mund ta ngremë në një nivel komplet tjetër”, deklaroi kryeministri.
(A2 Televizion)