U pyet ministrja e Ekonomisë, por u përgjigj ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, se sa ka kushtuar makina e re që po përdor kryeministri Edi Rama. Erjona Ismailaj tregoi se kush e paguan automjetin e kreut të qeverisë.
“Makina që përdor kryeministri është me qira dhe paguhet nga buxheti i Partisë Socialiste të Republikës së Shqipërisë. Normalisht, makina që përdor kryeministri përdoret edhe për aktivitetin e tij politik”, tha ministrja, përcjell A2 CNN.
Nuk dha më shumë detaje, me argumentin se bëhet fjalë për elemente të sigurisë së kryeministrit. “Cilësimet e makinave lidhen edhe me çështje sigurie, të cilat bëhen të ditura ose orientohen edhe nga Garda e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nivelin e sigurisë që kryeministri i vendit duhet të ketë”, tha Ismailaj.
Më e çliruar, Erjona Ismailaj u tregua në momentin që iu desh të fliste për ish-numrin dy të qeverisë së Edi Ramës, Arben Ahmetaj. “Mua më vjen sa keq, aq edhe ndot, të diskutoj apo të jap përgjigje për deklarata të të arratisurve”, tha ajo. “Ashtu sikurse ka guximin që, nga pisllëku në të cilin është zhytur, të hedhë llum mbi projektet e qeverisë shqiptare, të gjejë guximin të vetë përballet me drejtësinë shqiptare”.
Sa i përket akuzave të Ahmetajt, i cili është ende në kërkim nga SPAK, ministrja përcjell mesazhin mbrojtës ndaj KAYO-s. “KAYO” është një nga krenaritë për sa i përket projekteve të implementuara nga kjo qeveri”, tha ajo.
Ky është qëndrimi i parë i qeverisë pas përgjimeve të bëra të ditura nga Ahmetaj, ku izraeliti Ron Yefet, sipas ish-numrit dy të qeverisë, del në përgjime se në Shqipëri bëhet trafik armësh. (A2 Televizion)