Qeveria ka miratuar një vendim të ri për transferimin e pronësisë së një pasurie shtetërore në Tiranë, në funksion të një projekti të rëndësishëm investimi për kulturën dhe infrastrukturën publike.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, me porosi të Kryeministrit Edi Rama dhe në mungesë të tij, nga Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, prona me numër 7/74 në zonën kadastrale 8160, Tiranë, i kalon nga Bashkia Tiranë në administrim Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Kjo pronë ndodhet në zonën ku ndodhet Pallati i Kongreseve, dhe transferimi i saj ka si qëllim realizimin e projektit të investimit “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”, një nga godinat më ikonike për jetën kulturore dhe institucionale në kryeqytet, shkruan A2 CNN.
Vendimi parashikon gjithashtu që prona në fjalë të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme publike të Bashkisë Tiranë, listë që ishte miratuar fillimisht me vendimin nr. 834, datë 13 dhjetor 2006, dhe që ka pësuar ndryshime ndër vite.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar:
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Bashkia Tiranë
Agjencia Shtetërore e Kadastrës
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në “Fletoren Zyrtare”. (A2 Televizion)