Nënkryetarët e rinj të bashkisë, pas ultimatumit të kryeministrit, Tirana ndryshon drejtuesit

Nga Ornela Joti
31 Korrik 2025, 16:31 | Politikë

10 ditë pas ultimatumit të kryeministrit Rama për largimin e drejtuesve të bashkisë së Tiranës 4 nënkryetarët I janë përgjigjur njëherazi më dorëheqje. Mesditën e së enjtes  ata kanë dhënë dorëheqjen e detyruar ndërsa emrat zëvendësues ishin gati.

Vasilika Vjero, pasi u lirua nga detyra e zv.ministres së Financave, rikthehet në bashkinë e Tiranës për të marrë në dorë zhvillimin ekonomik dhe financat e kryeqytetit. Si nënkryetar për shërbimet publike, Ilir Mengra lë postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Transportit Rrugor, një drejtori në varësi të ministrisë së Belinda Ballukut. Në krye të patentave ai shkoi pasi Blendi Gonxhja u bë ministër. Gentian Keri është nënkryetari tjetër i bashkisë së Tiranës i cili vjen nga Drejtoria e Prokurimeve Publike Prokurimet Publike, shkruan A2 CNN.

Surprizë mund të konsiderohet emërimi i Blendi Sulajt si nënkryetari tjetër i bashkisë më të madhe të vendit. Ish-republikani i Fatmir Mediut që më pas ju bashkua Lulzim Bashës në Partinë Demokratike, këtë vit doli në krah Edi Ramës. Edhe pse nuk arriti të dilte deputet nga lista e hapur e Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, Blendi Sulajt iu besua detyra e nënkryetarit të bashkisë dhe konkretisht sektori i shpallur prioritet në këtë periudhë nga kryeministri, menaxhimi i territorit dhe zhvillimi rural.

Emërimi i nënkryetarëve të rinj është bërë në prani të ministres Ogerta Manastirliu, njëherësh drejtuese e një prej grupeve të punës për menaxhimin e punëve në bashki.

Anuela Ristani vijon të jetë kryetarja në detyrë e bashkisë së Tiranës që prej arrestimit të Erion Veliajt, por burimet thonë se edhe ajo pritet të largohet pas ultimatumit të Kryeministrit për punë të dobët në këtë institucion. Prej muajsh  bashkia e Tiranës nuk po gjen qetësi. Ndërsa Erion Veliaj ka dhënë mesazhin e tij nga qelia e paraburgimit. Do të ndjekë rrugën ligjore dhe nuk do të japë dorëheqjen nga drejtimi i Tiranës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos