Ndalesa e radhës e Sali Berishës këtë të diel ishte në Tropojë. Rikthimi në shtëpinë e tij nuk ishte ai që kishte menduar, pasi siç pohoi Tropoja gjatë 12 viteve të pushtetit të Ramës kishte humbur madhështinë e dikurshme.
Në mitingun përmbyllës elektoral, lideri i opozitës para banorëve të kësaj zone pohoi se kishte shkuar me një projekt.
“Me një projekt me të cilin duam, këtë madhështi të bjerrur, ta rikthejmë në madhështinë e saj”, tha Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike.
Akuza pati për kundërshtarët e tij në qeveri, teksa pohoi se janë duke notuar në luks dhe nuk kanë dijeni për problemet e qytetarëve.
“Qeveritarë, ministra që deklarojnë se, në Shqipëri është mirë sepse nuk vdes njeri për bukë, nuk fjalë që nuk meritohet t’u thuhet. Nuk është fjala të vdesi njeriu për bukë, por është fjala, të jetojë njeriu me dinjitet. Programi ynë është përjashtimi brenda 100 ditëve i mjerimit, varfërisë së skajshme”, u shpreh Berisha.
Turizmi, pohoi Berisha, do të jetë në prioritet të qeverisë së tij, ndaj premtoi se do punohet për përmirësimin e infrastrukturës dhe do ketë lehtësira fiskale për biznesin.
“Do ulim taksat. Biznesi i vogël energjinë do ta ketë me çmim 3 herë më të lirë. 6 lek kilovati. Biznesi i vogël, tavanet e për TVSH dhe tatim fitimin do t’i jo një 100 dhe 140 mijë, por 180 mijë euro”.
Pas Tropojës, ndalesa e radhës për kreun e opozitës ishte në Has, nga ku ftoi edhe socialistët që të votojnë për Partinë Demokratike në 11 Maj.
“Ftoj çdo socialist, çdo të lëkundur dhe të paparti të Hasit, ftoj çdo shqiptar të gjitha bindjeve, ftoj diasporën, emigracionin të votojnë ndryshimin, të votojnë shansin e madh të 100 ditëve dhe Shqipërisë. Shqipërisë do t’i hapim një kapitull të ri, do ta ndajmë me këtë të keqe të madhe”.
Sali Berisha në këtë udhëtim në veri të vendin shoqërohej nga aleati i tij Fatmir Mediu dhe Filip Grifin, këshilltari i strategut të fushatës, Kris Lacivita. (A2 Televizion)