Bledjon Nallbati ka reaguar në lidhje me konfliktin e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku ai dhe vëllai i tij janë përfshirë në një konflikt me ndrejtuesin e një kamioni.
Nallbati ka sqaruar rrethanat e ngjarjes, ku tha se ka tentuar disa herë që të shmangë përplasjen. Gjithashtu, tha se Niko Peleshi ishte ai që këtë ngjarje e transferoi me dhunë komisariat, shkruan A2.
“Ditën e djeshme, rreth orës 21:00, ka ndodhur incident që më ka përfshirë mua, vëllain tim dhe një mjeti të tonazhit të rëndë. Pranoj me përgjegjësi të plotë që duhet të qëndroja me maturi, mbi këto lloj provokimesh, megjithatë jam njeri para se të jem politikan. Dënojmë çdo lloj forme dhune verbale e fizike, pavarësisht se na përfshiu incidenti pa dëshirën tonë. E vërteta transformohet si i volet interesit publik të momentit. Keni parë video të pjesshme, jo të plotë. Nuk është e vërtetë që unë apo vëllai i kemi prerë rrugën kamionit. Po udhëtonim nga Kapshtica në qytet, në rrethrrotullim është hapur një gropë që këta pushtetarë që keqinformojnë ngjarjen, nuk e riparojnë. Mjeti im uli shpejtësinë ndërsa kamioni ishte mbrapa me shpejtësi dhe mund të pësonim aksident. Në këto kushte kemi ndaluar dhe ka dalë vëllai im që ishte shofer e pas tij unë. Kam tentuar shumë herë ta shmang këtë konflikt edhe pse isha në emocionet e asaj përplasje të mundshme të rrezikshme. Edhe shoferi pa diskutim ka patur një reagim jo të duhur, duke sharë mua e vëllain tim. Emocioni prevalon ndonjëherë mbi arsyen, por jam njeri. Nuk i përkas rracës së njerëzve si Niko Peleshi e të tjerë që janë marrë me këtë çështje. Këta nuk cenohen në dinjitetin e vet e të familjes, mjafton karrigia e pushtetit që të vjedhin paratë e qytetarëve. Ftoj SPAK të marrë pamjet e tjera filmike për të parë çka ndodhur, për të qenë të qartë”, tha Nallbati.
“Telefonuam policinë e komisariatit për të sqaruar një ngjarje që mund të kishte patur pasoja, por edhe për konfiktin. Policia në vend ta qartësonte situatën, edhe pse vëllai im dhe shoferi u shoqëruan, deklaruan që ishte konflikt i momentit, keqkuptim, firmosën deklaratat që s’kishin asnjë problem me njëri-tjetrin. Policia me urdhër personal të Niko Peleshit, që ka komunikuar me drejtuesit e Policisë së Qarkut të Korçës. Për çfarë komunikoi Peleshi me drejtorin e Policisë? Cila ishte arsyeja që kjo ngjarje u transferua me dhunë në komisariatin e Korçës e me prezencën e vetë drejtorit të policisë u ngrit një akuzë e falsifikuar. Në pamjet filmike, edhe pse mjetet ndaluan, vepra penale është kur largohesh nga vendi i ngjarjes, si mund të largohej mjeti kur ishte një aksident i mundshëm, dhe ne telefonuam policinë. Mjetet e tjera vazhdonin të kalonin. Të treja akuzat nuk qëndrojnë. Kam informacion që duhet ta verifikoni ju dhe ftoj e SPAK, dje drejtori i policisë është thirrur dhe ka pezulluar shefin e komisariatit dhe shefin e krimeve”, shtoi Nallbati. (A2 Televizion)