“Qytetarët nuk duan fjalë, por rezultate”, deputeti Llajo nis seancën e parë të Kuvendit të ri, apelon për bashkëpunim

Nga A2 CNN
12 Shtator 2025, 10:24 | Politikë

Nën tingujt e himnit kombëtar ka nisur seanca e parë e legjislacionit të XI të kuvendit të Shqipërisë. Seancën e hapi deputeti Vasil Llajo, i cili theksoi se në këto 4 vite do të shkruhet historia e popullit tonë, sepse Shqipëria është më pranë se kurrë anëtarësimit në BE.

Ai apeloi që çdo ligj, vendim e reformë që kuvendi do të miratojë të ketë në fokus qytetarin. Sipas tij duhet të ndërtohet një kulturë e re

“Këtu fillon kapitulli i 4 viteve të ardhshme ku do të shkruhet historia e popullit tonë. Jeta poilitke nuk ndërtohet vetëm mbi energjinë e rinisë dhe as vetëm me urtësinë e përvojës për me bashkëpunimin e të dyjave. Kemi nevojë për entuziazmin e brezave të rinj dhe maturinë e atyre që kanë parë më shumë. Vetëm kështu mund të marrim vendime të mençura dhe të guximashme. Shërbimi ndaj njeriut është rruga më e ndershme që njeriu mund të ndjekë. Çdo ligj reformë e vendim duhet të ketë në qendër qytetarin e tij. Kjo legjislaturë është e re në përbërje. Ky është një sinjal i qartë për qytetarët. Ata duan më shumë nga ne gjuhë më të matur dhe më të respektueshme. Është detyra jonë që këtë besim ta kthejmë në realitet ata nuk duan fjalë të kota, por rezultate që ndihen në familjet e tyre në shkolla e shëndetësi. Në këtë sallë do ketë gjithmonë ndasi, mazhoranca qeveris, opozita kritikon. Duhet të ndërtohet një kulturë e re e bashkëpunimit për çështje kombëtare, të ndahemi në debate por të bashkohemi në qëllime. Shqipëria është më pranë se kurrë anëtarësimit europian. Ky është një historik i kësaj legjislature që të tregojë se Shqipëria është gati të ulet si e barabartë mes të barabartëve

Ky nuk është mision i një partie, por mision kombëtar për të cilin do na gjykojnë brezat që vijnë. Le ta shohim si mundësi për standarde të reja. Le të dëshmojmë se dimë të bëjmë politikë të pjekur. Le ta bëjmë këtë sallë ku shqiptarët gjejnë arsye për të besuar dhe  jo për t’u zhgënjyer. Ky është kuvendi që meriton shoqëria jonë”.

Pas betimit, pritet që mazhoranca të propozojë Niko Peleshin për kryetar të ri të Kuvendit, sipas njoftimit të një dite më parë nga Edi Rama. Votimi do të zhvillohet me fletë dhe kuti, ndërsa pas shpalljes së rezultatit Llajo do t’ia lërë vendin Peleshit, i cili do të mbajë fjalën e tij të parë.

Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, emëron Kryeministrin me propozim të partisë që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Kryeministri Rama paraqet brenda 10 ditëve në Parlament programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.

Kjo legjislaturë sjell një numër të lartë figurash të reja nga radhët socialiste, ish-ministra, kryebashkiakë apo drejtues të administratës publike, ndërsa opozita rikthen emra të njohur si Jozefina Topalli, Gent Strazimiri, Bardh Spahia dhe Igli Cara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos