“Rama, antishqiptar!”. Protestë para ambasadës në Londër, organizatori: Po mbushet Kanali i La Manshit me të rinj që rrezikojnë jetën

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2024, 17:23 | Politikë

Përveç mosbindjes civili në disa akse rrugore në vend, kryesisht në Tiranë, një protestë është zhvilluar edhe para ambasadës shqiptare në Londër. “Është përfaqësuese e shtetit tonë dhe i vetmi vend që ne mund ta japim direkt mesazhin tonë”, tha për A2 CNN Taulant Omi, një prej organizatorëve të saj.

“Është organizuar nga diaspora në përgjithësi në bashkëpunim mes zotit Ilir Meshi dhe meje”, tha Omi. “Ilir Meshi është personi që u dhunua dhe u shtrua në spital në protestën e mëparshme. Ne menduam ta organizojmë në të njëjtën kohë protestën, për të përfaqësuar të gjithë diasporës, jo për ndonjë parti politike”.

I pyetur se përse po mbahet protesta, Omi tha: “Ne kërkojmë të njëjtat gjëra si në Shqipëri, që qeveria të lejojë zgjedhjet nëpërmjet një qeverie teknike, për rritjen e pensioneve, ekonomisë dhe mundësinë e ndalimit të largimit të popullsisë shqiptare duke i krijuar kushtet që jetën ta kenë në Shqipëri pasi po mbushet kanali (i La Manshit) çdo ditë me të rinj shqiptarë, duke rrezikuar jetën”.

Omi dhe organizatori tjetër Meshi deklaruan se protesta nuk është ekskluzivisht në mbështetje të PD. “Unë vetë jam demokrat, por ne i kemi ftuar këdo që është opozitar kundër qeverisë”, tha Omi. “Nëse nesër do të nisin një protestë “Shqipëria bëhet” ne prapë do të organizohemi që t’i mbështesim”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos