Rëndimi i akuzës për Beqjan, Berisha: Jo meritë e drejtësisë, por e hetimit parlamentar të PD

Nga Ervin Koçi
23 Dhjetor 2024, 15:22 | Politikë

Meritën e rëndimit të akuzës për Ilir Beqajn Sali Berisha ia dha Partisë Demokratike. Në daljen e radhës për mediat, kryedemokrati u shpreh se veprimtaria e komisionit hetimor parlamentar për dy koncesionet në shëndetësi detyruan drejtësinë të ashpërsojë qasjen ndaj Ilir Beqjas. 

“Të jesh i sigurt se po të mos qe kjo opozitë, po të mos qenë qytetarët me protestën e tyre, Erion Veliaj do të hynte jo nga dera e halesë në selinë e PS-së, por do të hynte ballore dhe me 30 roje i shoqëruar. Edhe Beqja i partisë do të tallej me publikun. Ka një meritë të veçantë komisioni i fundit parlamentar që e riktheu bëri një replay të të gjithë çështjes së sterilizimit, emisionet televizive”, tha Berisha.

Pavarësisht se e përshëndeti këtë vendim të drejtësisë, gjuha ndaj Prokurorisë Special vijon të mbetet e njëjtë.

“Pra beteja e opozitës për transparencë po gozhdon edhe anëtarët e organizatës kriminale SKAP dhe po i detyron që të kuptojnë se do të gjykohen, do të gjykohen me rreptësinë më të madhe për këto krime që kryejnë me dosjet e tyre. Do të gjykohen shumë rëndë”, u shpreh Berisha.

Vendimin e Qeverisë për të mbyllur TikTokun e shpjegoi të motivuar politikisht për të goditur epërsinë që thotë se kanë demokratët në komunikim përmes kësaj platforme.  

“I garantoj të rinjtë se akti i parë pas zgjedhjeve do jetë hapja përfundimtare e TikTokut dhe ndëshkimi i xhelatit të fjalës së lirë për krim kushtetues”, tha Berisha.

Kërkesën për qeveri teknike që ushqen protestat dhe mosbindjen civile të opozitës, premtoi se do ta kthejë në një garanci kushtetuese për të gjitha pakicat politike në të ardhmen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos