Kryeministri Edi Rama nuk e priti në zyrë delegacionin e eurodeputetëve të Komitetit të Stabilizim-Asociimit që po zhvillojnë në Tiranë një vizitë treditore.
Në axhendën e ekipit të deputetëve europianë, pjesë e të cilëve është edhe Alfred Beleri, ishte parashikuar një takim me kreun e Qeverisë këtë të martë, në orën 10:00, por A2 CNN mësoi se ky takim ishte anuluar një ditë më parë nga zyra e Kryeministrit për shkak të impenjimeve të Ramës.
Axhenda e shefit të qeverisë shqiptare kishte vend për një takim në zyrën e tij me kryebashkiakun e Himarës, Vangjel Tavo, i cili u largua nga Kryeministria në orën 10:00, pikërisht kur duhej të futej eurodeputeti grek Alfred Beleri, që ndonëse fitoi zgjedhjet në Himarë nuk mundi të bënte asnjëherë betimin si kryetar i Bashkisë.
Ishte një prej eurodeputetëve ai që zbuloi për A2 CNN se Edi Rama u kishte shkuar në mëngjes herët në hotel për një takim informal, por Beleri nuk kishte qenë prezent.
Dita ishte jo e qetë për përfaqësuesin e Greqisë në PE, pasi ai u prit me protesta para Kryesisë së Kuvendit. Këtij incidenti iu shtua edhe fakti që Beleri u detyrua të priste gjatë para derës së Kuvendit që ajo të hapej. Ai preferoi të heshtte për takimin e munguar me ish-kundërshtarin e tij politik Edi Rama, si para ashtu edhe pas takimit me grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë.
Në dalje nga Kryesia, Belerit iu hodh vezë dhe kos nga një protestues, moment ky që kapi në befasi, si atë, ashtu edhe eurodeputetët e tjerë.
Një drekë pune me diplomatët e vendeve të Bashkimit Europian u shoqërua gjithashtu me një protestë kundër tij. Edhe pse vëmendjen e kësaj vizite e mori Alfred Beleri, fokusi kryesor ishte takimi i 18 i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. Kjo tryezë për disa orë normalizoi edhe marrëdhënien mes PS dhe PD, ku u ulën me njëri-tjetrin për hir të integrimit. (A2 Televizion)