“Rama është shpallur “i paprekshëm” nga SPAK”, Boçi: Korrupsioni dhe krimi janë shkrirë në një

Nga A2 CNN
28 Tetor 2025, 13:38 | Politikë

Luciano Boçi, nënkryetar i PD, ka komentuar në “Puls” në A2 CNN, me moderatore Bruna Çifligun, zhvillimet në seancën dëgjimore me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, duke e cilësuar atë “të paqartë” dhe “të deformuar nga mazhoranca”.

Sipas Boçit, vendimi që pyetjet e deputetëve të mos lexoheshin prej tyre, por nga Dumani, “krijoi kakofoni dhe mosqartësi në komunikim”. Ai tha se kjo mënyrë ndikoi në përgjigjet e Dumanit, duke shtuar se “shumë prej tyre ishin të paplota”.

Deputeti shprehu pakënaqësi që pyetja e tij për Edi Ramën nuk u lexua e plotë. “Unë parashtrova argumente dhe fakte pse Rama është shpallur i paprekshëm. Ai është firmëtari kryesor i vendimeve për inceneratorët, iniciatori i projekteve që sot nuk funksionojnë. Janë 71 persona në hetim, por koka kryesore, Rama, është jashtë kësaj dosjeje”, deklaroi Boçi.

Ai theksoi se SPAK po tenton të ndajë artificialisht korrupsionin nga krimi i organizuar, ndërkohë që “realiteti është krejt tjetër”. “Sot krimi i organizuar jo vetëm pastron para, por ka edhe autoritet politik. Korrupsioni me bazë politike dhe krimi janë shkrirë në një të vetme”, shtoi Boçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos