
Gjykata Kushtetuese konfirmon zyrtarisht për A2CNN se Erion Veliaj ka kërkuar të jëtë fizikisht në seancën e 31 tetorit, ndërsa vetë Gjykata ka njoftuar Drejtorinë e Burgjeve dhe SPAK për orën dhe datën e seancës.
Kushtetuesja pezulloi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore më 9 nëntor në kryeqytet. Vendimi u mor pasi Erion Veliaj ankimoi shkarkimin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj u shkarkua nga Këshilli i Ministrave pas kërkesës së Këshillit Bashkiak të Tiranës, me arsyetimin se kishte munguar në punë. Veliaj qëndron në paraburgim prej shkurtit të këtij viti, pasi akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.
Në seancën e mbajtur më 9 tetor 2025, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e kryesuar nga Holta Zaçaj, vendosi se zbatimi i dekretit presidencial do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor.
Sipas vendimit, nuk mund të zhvillohen zgjedhje për Bashkinë e Tiranës për sa kohë është ende në shqyrtim ligjshmëria e vendimit të Këshillit të Ministrave që e shkarkoi Veliajn, shkruan A2 CNN.
Gjykata u mbështet në nenin 45 të ligjit për organizimin e saj, sipas të cilit, nëse zbatimi i një akti mund të sjellë pasoja të pariparueshme për interesa shtetërore, shoqërore apo individuale, ajo mund ta pezullojë atë përkohësisht.
Në këtë rast, gjyqtarët arritën në përfundimin se dekretimi i zgjedhjeve për Tiranën, përpara se të shqyrtohet ligjshmëria e shkarkimit, cenon rëndë të drejtën kushtetuese të të zgjedhurit vendor dhe mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve vendore.
Me këtë vendim, procesi për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës ndalet zyrtarisht, deri në përfundimin e shqyrtimit kushtetues për ligjshmërinë e shkarkimit të Veliajt.
Dekreti presidencial është pezulluar vetëm për pjesën që lidhet me Tiranën, ndërsa pjesa tjetër e zgjedhjeve për njësitë e tjera vendore mbetet në fuqi. (A2 Televizion)
