"Beteja e opozitës duhet të jetë me Edi Ramën dhe jo me Altin Dumanin. Këta zotërinj për herë të parë kanë thërritur disa njerëz nëpër gjyqe që të tjerët nuk e kishin bërë deri më sot. Uroj që nga kjo histori të dalë diçka".
Kështu u shpreh Dashamir Shehi, kryetar i LZHK, në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin. Ai shtoi se nuk ka njohuri personale për Altin Dumanin dhe nuk e sheh si armik të opozitës. Ai theksoi se opozita ka bërë gabim duke sulmuar organet e drejtësisë, duke krijuar idenë se Prokuroria përfaqëson një kërcënim ndaj tyre. "Kush është i ndershëm nuk ka pse të trembet nga Prokuroria," tha Shehi.
Ai kujtoi eksperiencën e tij të gjatë me sistemin e drejtësisë. “Se po të ishte për t’u futur në burgje, këtu duhet të ishin futur gjysma e atyre që kanë qeverisur vendin,” shtoi ai, shkruan A2 CNN.
Shehi mbështeti hetimet e SPAK-ut, duke vlerësuar që për herë të parë disa figura po përballen me ligjin. Ai e cilësoi këtë një hap pozitiv për drejtësinë, duke nënvizuar nevojën që opozita të fokusojë energjitë te qeveria aktuale dhe jo te organet e hetimit. (A2 Televizion)