Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, i ftuar në emisionin “Off the Record me Andrea Dangllin”, ka akuzuar Partinë Socialiste dhe praktikën e saj të qeverisjes, të cilat sipas tij kanë vetëm një synim, krimin zgjedhor.
Sipas Xhaferrit, PS-ja është një parti në pushtet që veprimet e saj kryesore i bën për të shfrytëzuar zgjedhjet dhe për të konsoliduar kontrollin mbi procesin politik. Ai tha se qeveria lejon pastrimin e parave, i jep hapësira bandave për shkak të aleancave elektorale dhe mbush administratën me militantë për të siguruar vota.
Xhaferri shtoi se tenderët e fryrë dhe mbështetja për bizneset e mëdha janë pjesë e një strategjie të qartë për sigurimin e rezultateve zgjedhore. “Të gjitha këto veprime i lejon me një qëllim të vetëm: krimin zgjedhor”, theksoi deputeti i PD-së.
Ai paralajmëroi se PS-ja nuk po vepron vetëm për të konsoliduar pushtetin aktual, por ka nisur tashmë përgatitjet për të kryer krim zgjedhor edhe në zgjedhjet e vitit 2027. (A2 Televizion)