Samiti i NATO-s do të mbahet në vitin 2027 në Tiranë. Lajmin e ka ndarë në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama , sipas të cilit ky vendim u mor në mënyrë unanime në samitin e 24-25 qershorit në Hagë.
“Hagë, Samiti i NATO-s vendosi unanimisht organizimin e tij në Tiranë në 2027”, shkruan Rama në rrjetet sociale duke ndarë edhe foto nga takimi.
Tirana u zyrtarizua si organizatore e nivelit më të lartë të takimit të liderëve të vendeve anëtare të NATOS, në Samitin e Hagës në Holandë, ku delegacioni shqiptar u kryesua nga kryeministri Edi Rama.
Në deklaratën përfundimtare të Samitit, përcaktohet se Shqipëria që do të presë samitin e radhës të NATO-s pas atij të planifikuar për vitin e ardhshëm në Turqi.
Samiti i NATOS pritet të sjellë në Shqipëri, liderët e vendeve më të fuqishme të botës, mes të cilëve edhe presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, duke shënuar një ndër arritjet më të rëndësishme historike për vendin.
(A2 Televizion)