“Na duhet dush përulësie”- Rama kritikon Europën nga Riadi: BE s’ka një plan paqeje, fjala ‘nukleare’ është bërë e zakonshme

Nga A2 CNN
28 Tetor 2025, 18:28 | Politikë

“Na duhet dush përulësie”- Rama kritikon Europën nga

Riad, Arabinë Saudite – Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në punimet e Forumit të 9-të të “Future Investment Initiative” (FII), një nga platformat më të rëndësishme në botë për inovacion, teknologji dhe investime të qëndrueshme, që po zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite.

Me këtë rast, kryeministri zhvilloi edhe takime me drejtues të forumit, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe drejtues kompanish prestigjioze me potencial të lartë investimesh në fusha me interes të përbashkët për Shqipërinë dhe Arabinë Saudite.

Paneli: “A po ecën njerëzimi në drejtimin e duhur?”

Rama ishte pjesë e panelit të diskutimit me këtë temë, ku morën pjesë gjithashtu Presidenti i Ruandës Paul Kagame, Presidenti i Guajanës Mohamed Irfaan Ali, Kryeministri i Pakistanit Shahbaz Sharif, themeluesi i “Bridgewater Associates” dhe “Dalio Family Office”, Ray Dalio, si edhe Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Diskutimi u moderua nga Richard Attias, kryetar i Komitetit Ekzekutiv dhe CEO i FII Institute.

Rama: “Bukuria dhe prosperiteti ecin bashkë”

I pyetur për rolin e kulturës, artit dhe imagjinatës në orientimin e shoqërive drejt së ardhmes, Rama tha se nuk mund të ketë mirëqenie pa estetikë dhe kujdes për hapësirën publike.

“Ka vende të bukura që mund të jenë të varfra, por nuk ka vende të shëmtuara që janë të pasura. Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes bukurisë dhe prosperitetit, mes njerëzve dhe hapësirës ku ata jetojnë,” – u shpreh Rama.

Ai e përgëzoi Arabinë Saudite për transformimin e saj, duke e quajtur “një vizion që po e kthen shkretëtirën në një ‘Firence 2.0’, si ajo e Medici-ve në Rilindjen Italiane”.

“Në Perëndim po jetojmë në epokën e inercisë, jo të imagjinatës. Ndërsa këtu, në Gjirin Arabik, ndodh e kundërta: imagjinata ka zëvendësuar inercinë, dhe kjo imagjinatë ushqehet nga inovacioni dhe nga dëshira për të bërë hapa të mëdhenj përpara,” – shtoi ai.

Kritikë ndaj Evropës: “Na duhet një dush përulësie”

I pyetur nga moderatori Richard Attias se cilat do të ishin tre vendimet e para që do merrte “nëse do të ishte perandori i Evropës”, Rama dha një përgjigje reflektuese dhe kritike ndaj drejtimit aktual të kontinentit:

“Në Evropë çdo ditë flitet për më shumë armatosje, për më shumë armë, por askush nuk ka një plan paqeje për t’u lexuar apo diskutuar. Një Evropë që nuk ka vizion për paqen, por është vendosur në ‘autopilotin’ e Shteteve të Bashkuara, kjo është shqetësuese,” – tha Rama.

Ai theksoi se Evropa dhe Perëndimi kanë nevojë për një “dush përulësie”, për të kuptuar ndryshimet që po ndodhin në pjesë të tjera të botës dhe për të rifituar frymën e vet të reflektimit.

“Duhet të mësojmë më shumë nga vendet që po ecin me imagjinatë dhe vizion, në vend që të vazhdojmë me arrogancën e mendimit se kemi gjithmonë të drejtë. Fjala ‘nuklear’ është bërë e zakonshme në fjalorin e përditshëm, gjë që dikur ishte e paimagjinueshme – dhe kjo tregon sa shumë kemi humbur sensin e masës,” – përfundoi kryeministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos