Rama kthehet në Vlorë: Bashkia ka nëpërkëmbur banorët, aksioni do të vijojë në qytete të tjera

Nga Fjorela Beleshi
7 Korrik 2025, 17:03 | Politikë

Kryeministri Edi Rama u rikthye sërish në Vlorë. Mëngjesi i të hënës e gjeti edhe njëherë në bashki, ku zhvilloi një takim me kreun e këtij institucioni dhe deputetët e zgjedhur dhe kandidatët për deputetë të 11 majit.

Pas takimit me dyer të mbyllura, kreu i qeverisë doli sërish në terren për të parë nga afër nëse urdhrat e tij ishin zbatuar.

Por sërish duket se e gjeti në gabim Ermal Dredhën dhe nuk nguroi që ta kritikonte.

Më pas doli para mediave për të shpjeguar aksionin që ka ndërmarrë që siç tha po bëhet për të zgjuar nga gjumi autoritetet lokale. Para gazetarëve në Vlorë, kreu i qeverisë kërkoi angazhimin e të gjithëve, ku sipas tij edhe deputetët duhet të jenë më shumë të angazhuar.

Zaptimi i hapësirave, parkimet dhe uji ishin kryefjala e problemeve sipas Ramës.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po përgatit një paketë të re ligjore për sa i përket ujit të pijshëm me të cilën shpresoj, uroj dhe besoj, do të pagëzojmë mandatin e katërt”, u shpreh Rama.

Sa i takon urdhrit të tij për dorëheqjet e drejtorëve të bashkisë nuk e fsheh kënaqësinë, teksa pohon se edhe vetë drejtuesit e kanë kuptuar që s’kanë qenë të denjë për detyrat që kanë mbajtur.

“Më vjen shumë mirë që masivisht drejtuesit e Bashkisë Vlorës janë përgjigjur thirrjes, sepse shpresoj unë të paktën, unë kështu e kuptoj, e kanë ndjerë, e kanë kuptuar që është e kotë që të pretendojnë që mund të rrinë aty në kushtet kur në shumë aspekte, performanca nuk është ajo e dëshiruar”, deklaroi kryeministri.

Mandatin e katërt e cilëson si përgjegjësi, ndaj kërkon prej të gjithëve që ta kuptojnë këtë gjë.

“Tek ato 83 mandatet që ne kemi marrë dhe ato 9 mandatet që kemi marrë në Vlorë janë gozhda në të ndenjura kur ulesh në karrige, për mua. Dëshiroj dhe shpresoj që edhe të tjerët t'i ndiejnë po ashtu, që të mos i zërë vendi pa përmirësuar çdo ditë, çdo orë nga një gjë sepse është një besim i madh dhe është një përgjegjësi shumë e madhe”, theksoi Rama.

I pyetur nëse vizitat e tij në Vlorë dhe kërkesa e llogarisë për drejtorët dhe kreun e bashkisë janë nëpërkëmbje e institucionit, për kreun e ekzekutivit është e kundërta.

“Ti ke hall se u nëpërkëmb institucioni i bashkisë, kurse unë kam hall që institucioni i bashkisë nëpërkëmb gjithë Vlorën çdo ditë. Kështu që unë jam të zgjidhet kjo e dyta, pastaj nëpërkëmbjen e institucionit e trajtojmë në një kohë të dytë”, u shpreh Rama.

Bashkia Vlorë nuk do të jetë e vetmja që do të shkundet nga kreu i qeverisë, pasi pohon se në ditët në vijim do të vizitojë edhe qytete të tjera, ku kërkesat janë të qarta lirimi i hapësirave publike dhe pastërtia e qytetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos