Kryeministri Edi Rama, në një tjetër mesazh të drejtpërdrejtë për drejtuesit lokalë, ka kërkuar shkundjen e administratës në Elbasan dhe Lushnje, duke e lidhur drejtpërdrejt performancën e dobët me mosveprimin e kryetarëve të bashkive.
“Kryetar, 10 mandatet duhet të të lënë pa gjumë! Të ikin të gjithë drejtorët,” tha Rama duke iu drejtuar kryetarit të Bashkisë Elbasan.
Ai theksoi se kryetari i bashkisë duhet të ketë kontroll të plotë mbi territorin dhe ndërtimet. “Kryetari i bashkisë duhet të dijë çdo tullë që vihet në qytet. Është e pamundur të mos ketë informacion nëse i ka sytë hapur dhe i rri mbi kokë gjërave,” u shpreh Rama.
Sipas tij, në rast se kryetari mbyll sytë, të gjithë vartësit veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme, duke sjellë si shembull rastin e Vlorës, shkruan A2 CNN.
“Patjetër që nëse kryetari i Bashkisë i ka sytë gjysmë hapur e gjysmë mbyllur, ata që janë nën të i kanë sytë të mbyllur, siç i kishin në bashkinë e Vlorës,” tha ai.
Rama paralajmëroi se në Elbasan dhe Lushnje do të ndiqet i njëjti model si në bashkitë ku janë bërë pezullime dhe dorëheqje masive të drejtorëve, për të rivlerësuar stafet dhe për të garantuar performancë më të mirë.
“Duhet shkundur e gjithë kjo pemë sepse 10 mandate në Elbasan, kryetar, janë një barrë që, po të them mua personalisht, bashkë me 12 mandatet e Fierit dhe të Vlorës, më kanë marrë edhe ato orë që flija gjumë. Duhet të të lëmë pa gjumë ty, jo të flesh më shumë,” deklaroi kryeministri. (A2 Televizion)