Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e sotme në Durrës të gjithë kryebashkiakët e Shqipërisë.
Ky takim vjen në kuadër të procesit të reformave për fuqizimin e pushtetit vendor dhe përgatitjes së vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkruan A2 CNN.
Po ashtu mësohet se ky takim do të fokusohet në një sërë temash kyçe që prekin drejtpërdrejt zhvillimin e territorit dhe mirëqenien e qytetarëve, të cilat janë të renditura më poshtë.
Gjithashtu takimi do të shërbejë si një platformë ndërinstitucionale për ndarjen e praktikave të mira, rritjen e transparencës dhe forcimin e koordinimit mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor.
Po ashtu në takim janë të pranishëm edhe disa ministra si dhe përfaqësues të institucioneve të specializuara.
Njoftimi:
Në kuadër të procesit të reformave për fuqizimin e pushtetit vendor dhe përgatitjes së vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të zhvillohet në Durrës një takim i rëndësishëm pune me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama, dhe të gjithë krerëve të bashkive, ministrave të linjës dhe përfaqësuesve të institucioneve të specializuara.
Ky takim do të fokusohet në një sërë temash kyçe që prekin drejtpërdrejt zhvillimin e territorit dhe mirëqenien e qytetarëve:
• Granti i Performancës dhe treguesit e financave vendore – si instrument për të lidhur performancën me financimin.
• Paketa e Maleve – një ligj i ri për nxitjen e investimeve në zonat malore dhe agroturizëm.
• Legalizimet dhe regjistrimi fillestar i pronave – përshpejtimi i proceseve në bashkëpunim me bashkitë.
• Ligji për Administrimin e Bashkëpronësisë – sfida dhe detyra për garantimin e cilësisë së jetës në hapësirat e përbashkëta.
• Roli i bashkive në procesin e integrimit evropian – ngritja e kapaciteteve dhe aksesi në fondet e BE-së.
• Bujqësia 2030 – politikat e reja të mbështetjes për sipërmarrjet bujqësore në nivel vendor.
Takimi do të shërbejë gjithashtu si një platformë ndërinstitucionale për ndarjen e praktikave të mira, rritjen e transparencës dhe forcimin e koordinimit mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor. (A2 Televizion)