Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian që ishte parashikuar për t’u zhvilluar këtë të premte, dështoi. Shkak për moszhvillim u bë mungesa e socialistëve. Për kryetaren Jorida Tabaku kjo nuk është rastësi dhe tregon mungesë serioziteti sa i përket luftës kundër korrupsion, që ishte temë e mbledhjes.
Për të dëgjuar raportimin e ministres për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin, Adea Pirdeni, nga radhët e mazhorancës ishte vetëm nënkryetari Toni Gogu.
“Ky këshill funksionon, për sa kohë maxhoranca ka vullnet që të funksionojë. Në momentin që ne kemi vështirësi që të organizojmë mbledhjet, është e kot që të marrim në raportim ministren kur një pjesë e madhe e kolegëve të marrin pjesë në këtë mbledhje. E shoh me shqetësim faktin që në tre muajt e fundit ka pasur vështirësi reale për të funksionuar”, tha Tabaku.
Socialisti Toni Gogu u mundua të justifikonte mungesën e kolegëve të tij, duke i kujtuar kryetares javën e gjelbër gjatë të cilës deputetët zhvillojnë takimet në terren me zgjedhësit.
“Kjo është javë e gjelbër dhe si e tillë, është detyrim për ne te jemi me votuesit. Do doja që të mirëkuptonit të gjithë kolegët që janë me zgjedhësit. Nuk ka vend për panik do vazhdojmë vetëm përpara me integrimit në BE dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Gogu.
Pavarësisht shpjegimit të Gogut, Tabaku ngriti dyshimin e një bojkoti kolektiv.
“Unë shpresoj shumë që ky të mos jetë vullneti i qeverisë, që të mos ta konsiderojë KKIE si institucion vetëm se drejtohet nga opozita. Shpresoj shumë procesin e integrimit mos ta keni një tick në letër apo qokë, por ta keni me ndryshime reale. Mua kjo retorika “që do flasim në parlament për korrupsionin” dhe nuk vijnë këtu të raportojnë nuk më pëlqen”, u përgjigj Tabaku.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian ishte parashkikuar fillimisht që të zhvillohej të mërkurën, por raportimi i kreut të SPAK, Altin Dumanit, para Komisionit të Ligjeve e zhvendosi për të premten. (A2 Televizion)