Këlliçi: 108 parti anëtare të IDC-CDI rrëzuan farsën elektorale të 11 Majit

Nga A2 CNN
31 Maj 2025, 15:23 | Politikë

Këlliçi: 108 parti anëtare të IDC-CDI rrëzuan

“IDC-CDI, organizata politike më e madhe në botë, me 108 parti anëtare, rrëzoi në Asamblenë e Përgjithshme të organizuar në Bregun e Fildishtë në Afrikë, farsën elektorale të 11 Majit të organizuar në Shqipëri!” Kështu shprehet Belind Këlliçi në një postim në Facebook, teksa ndan rezolutën e miratuar një ditë më parë në Abixhan.

Sikurse u shpreh pak më parë edhe kreu demokrat, Sali Berisha, miratimi i kësaj rezolute erdhi pas paraqitjes së materialeve nga përfaqësuesit e PD-së në konferencën e kësaj organizate; Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi.

Në rezolutë, IDC-CDI thekson se zgjedhjet në Shqipëri u shoqëruan me presion sistematik, frikësim dhe blerje të votës; keqpërdorim masiv të burimeve publike për qëllime elektorale, kontroll të qeverisë mbi median dhe censurë politike, përfshirë ndalimin e platformës TikTok, si edhe manipulim të procesit zgjedhor.

Në rezolutën e IDC-CDI kërkohet formimi urgjent i një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve të reja, zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ndërprerje e përndjekjes politike ndaj liderëve opozitarë, kushtëzim i integrimit të Shqipërisë në BE me reforma zgjedhore dhe demokratike.

Rezolutë mbi Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri.

Shqipëria: Integriteti Zgjedhor dhe të Drejtat e Opozitës.

Propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë – Shqipëri.

Unioni i Demokratëve të Qendrës dhe Internacionalja Demokrate e Qendrës (IDC-CDI),

Duke riafirmuar rëndësinë thelbësore që kanë zgjedhjet e lira dhe të ndershme për qeverisjen demokratike dhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE,

Duke rikujtuar rezolutat e mëparshme të PPE-së, IDU-së dhe IDC-CDI-së që kanë paralajmëruar për prapakthimin demokratik dhe keqpërdorimin e institucioneve nga Partia Socialiste (PS) në pushtet,

Të alarmuar nga gjetjet e misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit (OSBE/ODIHR, OSBE PA, APKE, Parlamenti Evropian) lidhur me zgjedhjet e 11 majit 2025,

Shprehin shqetësim të thellë se këto zgjedhje ishin një farsë politike, që nuk përmbushën standardet ndërkombëtare dhe shkelën kriteret e Kopenhagenit, duke përfshirë:

•Lirinë e votuesve për të zgjedhur (paragrafi 7.7 i Kopenhagenit):

Votuesit iu nënshtruan presionit sistematik, survejimit, frikësimit dhe blerjes masive të votës. Qeveria shpërndau bonuse prej 100 euro për 760.000 pensionistë pak para zgjedhjeve; fali gjoba dhe borxhe mbi 200 milionë euro nga periudha 2015–2025 vetëm dy ditë para votimeve. U shpenzuan rreth gjysmë miliard euro për tendera, prokurime dhe koncesione në kundërshtim me ligjin, të gjitha me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale. Vota e fshehtë nuk u respektua në shumë qendra votimi, dhe klima u karakterizua nga frikë dhe presion, duke u mohuar qytetarëve të drejtën për zgjedhje të lirë.

•Lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion (paragrafi 7.8 i Kopenhagenit):

Kontrolli i partisë në pushtet mbi median, censura editoriale dhe ndalimi me motiv politik i platformës TikTok dëmtuan rëndë mundësinë e votuesve për të pasur qasje në informacion të balancuar dhe të larmishëm.

•Ndarja e partisë nga shteti (paragrafi 5.4):

Partia Socialiste në pushtet i ka fshirë kufijtë midis shtetit dhe partisë, duke përdorur institucionet publike dhe burimet shtetërore për përfitim partiak, në kundërshtim me parimin që "shteti duhet të jetë i ndarë nga partia në pushtet".

•Keqpërdorimi i burimeve publike: Qindra mijëra punonjës të administratës publike u vunë nën presion për të bërë fushatë përmes një “rrjeti patronazhist” të shtrirë në të gjithë vendin, duke minuar konkurrencën demokratike.

•Liria e votuesve për të zgjedhur (paragrafi 7.7): Votuesit u përballën me presion, survejim, frikësim, kërcënime, blerje vote dhe mungesë të sekretit të votës;

•Liria e shprehjes (paragrafi 7.8): Kontrolli i qeverisë mbi median, censura dhe ndalimi i TikTok-ut kufizuan qasjen në informacion të paanshëm.

•Pandëshkueshmëria institucionale: Rreth 200 kallëzime formale për krime zgjedhore pranë Prokurorisë së Posaçme dhe qindra denoncime në KQZ mbetën pa ndonjë reagim apo ndjekje penale.

IDC-CDI dënon manipulimin e procesit zgjedhor përmes:

•Kapjes së shtetit dhe bashkëpunimit kriminal në frikësimin e votuesve dhe manipulimin e rezultateve;

•Përndjekjes gjyqësore ndaj liderëve të opozitës, përfshirë Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun, Ervin Salianjin dhe Fredi Belerin;

•Pandëshkueshmërinë institucionale, me mbi 30 kallëzime formale për krime zgjedhore pranë Prokurorisë së Posaçme dhe qindra denoncime në KQZ, pa ndonjë ndjekje ligjore.

IDC-CDI u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të:

Zbatojnë urgjentisht rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR, përfshirë ato mbi barazinë në fushatë, mediat dhe institucionet e paanshme;

Ndërpresin përndjekjen politike dhe të rikthejnë të drejtat e plota për liderët e opozitës;

Të krijojnë një qeveri teknike (kujdestare) për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja;

Sigurojnë pluralizëm real mediatik dhe akses të barabartë në media për të gjitha forcat politike.

IDC-CDI:

•Shpreh solidaritet të fuqishëm me Partinë Demokratike të Shqipërisë (PD-ASHM) dhe të gjithë aktorët civilë që mbrojnë demokracinë;

•U bën thirrje anëtarëve të CDI-së të dërgojnë një mision për verifikim faktesh dhe vëzhgimi në Shqipëri për të vlerësuar ecurinë e zgjedhjeve, për t’u takuar me aktorët përkatës dhe për të dhënë një vlerësim të pavarur mbi përputhjen me normat demokratike;

•I bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike;

•Paralajmëron se konsolidimi autoritar dhe ndikimi kriminal në Shqipëri përbëjnë rrezik serioz për demokracinë e brendshme dhe për stabilitetin rajonal.

Asambleja e Përgjithshme, Abixhan, 30.05. 2025 (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos