Reforma elektorale, PS kundër koalicioneve parazgjedhore, refuzon riformatimin e KQZ

Nga Fjorela Beleshi
30 Prill 2024, 15:05 | Politikë

Mazhoranca nuk është e gatshme të pranojë rikthimin e koalicioneve parazgjedhore që kërkohet nga demokratët e Rithemelimit. Kryetarja e komisionit të ligjeve, njëkohësisht anëtare e grupit të dialogut, Klotilda Bushka e bëri të qartë për A2CNN që heqja e koalicioneve parazgjedhore në 2020 me votat e deputetëve të asaj që në atë kohë quhej opozita parlamentare, nuk bie ndesh me standardet.

Bushka mendon se nuk ka kohë për të ndryshuar sistemin zgjedhor, si dhe nuk i bashkohet qëndrimit të demokratit Bylykbashi se sot nuk garantohet barazia e votës.

“Nuk mund të ndryshohet sistemi një vit para zgjedhjeve. As sistemimet e tjera që kemi patur nuk e garantonin barazinë e votës”, tha ajo.

Mungon edhe vullneti politik për të formatuar KQZ, siç propozon Rithemelimi.

“Formati që është tani është funksional”, shtoi Bushka.  

Deputetja socialiste është kundër votës së detyrueshme që propozohet nga opozita. 

“Personalisht jam kundër, edhe për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut”, u shpreh deputetja.

Një skenar që PS po e mendon seriozisht është të shtrirja në të gjithë vendin e teknologjisë për votim dhe numërim elektronik, nëse kosto financiare do ta mundësojë.

Herësi i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese kërkon zgjidhje politike me opozitën. Bushka mendon se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk duhet të shkohet me lista 100 % të hapura. Sink

“Herës duhet të ketë”, tha ajo.

Pyetja nëse emigrantët shqiptarë do të mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, mbetet ende një çështje që nuk ka përgjigje përfundimtare, duke gjetur ngërçin të aktet normative dhe përgjegjësitë institucionale.     (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos