Reforma territoriale, kreu i Bashkisë Maliq ende i paqartë për draftin

Nga Anesti Barjamemaj
18 Gusht 2026, 17:27 | Politikë

Në një kohë kur kolegët e tij nga 15 bashkitë që propozohet të shkrihen kanë lënë zyrat dhe kanë dalë kundër projektit të mazhorancës, Gëzim Topçiu ka zgjedhur të veprojë ndryshe.

Në Maliq kanë nisur dëgjesat, por vetë kreu i bashkisë pohon se ende nuk e ka kristalizuar një mendim nëse është pro apo kundër bashkisë që ai drejton që prej vitit 1996.

Gëzim Topçiu, Kryetari i Bashkisë Maliq: “Ende unë jam i paqartë për atë çfarë do të ndodhë, në kuptimin se çfarë do të ndryshojë në qoftë se do të miratohet kjo reformë e re, cila do të jetë statusi i qyteteve tona, i bashkive tona, i kompetencave, i financave, i investimeve. Problematikat janë të gjera dhe, pavarësisht kësaj, kjo nuk mund të thuhet me një po e me një jo”.

Madje, duke iu referuar edhe dokumentit të së majtës, ai nuk e preferon termin “shkrirje”.

Gëzim Topçiu, Kryetari i Bashkisë Maliq: “Projektligji i propozuar parashikon që Bashkia Maliq të bashkohet me Bashkinë Korçë dhe organizimi i brendshëm propozohet të kalojë nga bashki në njësitë administrative që jemi sot, në bashki, qytet dhe njësi administrative”.

Madje, duket se ai pret që edhe nga ky proces kreut të Maliqit të mos i ndryshojnë kompetencat.

Gëzim Topçiu, Kryetari i Bashkisë Maliq: “Domethënë, projektligji parashikon që qyteti i Maliqit të ketë një organizim siç e ka pasur, me njësitë administrative. Njësitë administrative të Maliqit nuk do të varen nga Korça, por do të varen përsëri nga Maliqi. Nuk do të ketë kryetar bashkie, por do të ketë një zëvendëskryetar funksional”.

Sipas tij, reforma nuk duhet parë për karriget e kryetarëve, por për atë nëse qytetarët do të kenë shërbime apo jo.

Gëzim Topçiu, Kryetari i Bashkisë Maliq: “Unë mendoj që duhet të shikojmë sa shërbimet ndaj njerëzve vijnë më afër, sa u zgjidhen më lehtë, sa Maliqi do të ecë jo me këtë ritëm që ka ecur tani, po do të ecë më mirë, sa investime do të marrim më shumë, sa do t’u shërbejë qytetarëve”.

Drafti socialist parashikon që nga 61 bashki, vendi të ketë 46 të tilla, ndërkohë krijohen 25 qytete që do të kenë nga një nënkryetar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos