Mazhoranca ka hedhur hapin e radhës drejt ndryshimeve në hartën territoriale dhe Kodin Zgjedhor, duke propozuar ngritjen e dy komisioneve të posaçme, por pa i njohur opozitës paritetin dhe të drejtën e vetos që tradicionalisht ka pasur. Socialistët, të mbështetur nga mandatet e PSD-së, i kanë numrat për t’i kaluar vetëm këto reforma, ndërsa demokratët përballen me dilemat e aksionit politik.
Mazhoranca avancoi në idetë e saj për të ndryshuar hartën territoriale të vendit së bashku me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në tavolinë e Konferencës së Kryetarëve kishin shkuar dy projektvendimet që parashikonin ngritjen e dy komisioneve të Posaçme, një për Reformën Administrativo-Territoriale, tjetri për Reformën Zgjedhore, por me një qasje të re.
“Nisma tjetër ka të bëjë me Komisionin e Posaçëm të Reformës Administrative dhe Territoriale. Në formë projektvendimi përkatës i Kuvendit duhet të ketë paritetin e përfaqësimit mes mazhorancës dhe opozitës, sikurse ka qenë edhe në dy komisionet e tjera të posaçme të reformës zgjedhore dhe administrative”, thonte Balla para dy ditësh, shkruan A2.
Ky zotim i kryetarit të grupit parlamentar socialistë, dhënë të hënën e kësaj jave rezultoi të mos ishte i vërtetë, pasi me propozimet e reja, socialistët as nuk e kanë çuar ndërmend paritetin e numrave në komision dhe as të drejtën që ka pasur tradicionalisht opozita në të tilla komisione, atë të vetos nga ana e bashkëkryetarit.
“Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar “Aleanca për Ndryshim” dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë. Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit”.
Përballë kësaj qasje, pyetja që shtrohet është se a do të mund të gjendet konsensusi për të dyja këto reforma? Ndarja politike në sallën e Kuvendit të krijon idenë se jo. Pasja e 83 mandateve të saja plus tre mandatet e PSD-së, të përfaqësuesit e të cilit kanë dëshmuar unitet me PS-në përgjatë gjithë legjislaturës së shkuar, tejkalojnë numrin e nevojshëm për të miratuar këto dokumente, 84.
Nga ana e tyre, socialistët kanë treguar se kur kanë numrat, nuk e mendojnë dy herë për të kaluar aktet. Diçka të tillë bënë në 2020, duke ndryshuar edhe kushtetutën, por edhe në 2014 duke ndryshuar hartën territoriale të vetëm me LSI-në, atëherë në koalicion, ndërsa demokratët përballë këtij realiteti, do të kenë disa ditë më shumë kohë për të menduar se çfarë do të bëjnë, pasi ngritja e komisioneve u shty për në mbledhjen e ardhshme të Konferencës së Kryetarëve. (A2 Televizion)