Territorialja dhe Zgjedhorja, Berisha: Nuk shkojmë në Komisione të Posaçme pa praninë e ODIHR dhe 'Venecias'

Nga A2 CNN
8 Tetor 2025, 13:40 | Politikë

Territorialja dhe Zgjedhorja, Berisha: Nuk shkojmë në Komisione

Në ditën kur nga kampi socialist rrodhën në media projektvendimet që përcaktojnë strukturën e dy komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë territoriale, kryedemokrati Sali Berisha ka shprehur qëndrimin kundër tyre.

Nga mbledhja e grupit të PD, Berisha tha se opozita nuk do të marrë pjesë në asnjë Komision të Posaçëm parlamentar pa praninë e ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

“Pretendojnë për dy komisione, asnjë komision pa Kongresin e autoriteteve rajonale dhe lokale për reformën territorial dhe pa ODIHR dhe Komisionin e Venecias nuk marrim pjesë. Të vijnë institucionet ndërkombëtare. Është e gabuar se marrin vitin 2008, e bazojnë në një mashtrim qëndrimin e tyre. Të vijë dhe të marrin ODIHR, specialistë nga Venecia, ekspertë edhe në të drejtën elektorale dhe jemi të hapur të zbatojmë rekomandimet edhe të tjera”, tha Berisha.

Më tej ai nënvizoi se nuk do të ulen në tryezën e komisioneve me Fatmir Xhafajn dhe Damian Gjiknurin si bashkëkryetarë nga PS, duke thënë se dy ligjvënësit socialistë duhet të ishte në burg prej kohësh.

“Këta nuk kanë interes reformash. Dinë vetëm si të shkatërrojnë çdo gjë që është, që të qëndrojnë në pushtet”, shtoi Berisha.  

   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos