“Revolucion fiskal”, Berisha vizitë në fasoneri: Do të transformojmë klimën për biznesin

Nga Anesti Barjamemaj
28 Prill 2025, 18:16 | Politikë

Revolucion fiskal premtoi Sali Berisha gjatë një vizite në një biznes fason në Tiranë. Lideri i opozitës teksa shpalosi programin e Partisë Demokratike, me taksa më të ulta dhe çmim energjie më të lirë, pohoi se këto masa bëhen për të lehtësuar klimën e biznesit. 

“Ne do bëjmë një revolucion fiskal. Do të transformojmë klimën për biznesin. Kësaj here ne kemi edhe një eksperiencë, dhe me shpejtësi do të vendosim standardet më optimale, më miqësore për biznesin”, tha Berisha, shkruan A2.

Një ndër masat e para që Berisha premton të marrë për këtë sektor, nëse i besohet drejtimi i qeverisë, është krijimi i një bordi për kompensimin e humbjeve nga kursi i këmbimit: “Ne garantojmë së pari një bord që do kompensojë qindarkë për qindarkë rënien e euros, që është një faktor që dëmton shumë çdo sipërmarrës që prodhon për eksportin”.

Një ndër problemet e biznesit është mungesa e fuqisë punëtore, ndaj premton politika për kthimin në Atdhe të të larguarve: “Duhet të bëjmë për ta sjellë kombin në moshën e rinisë Krahu i punës dhe tregu i punës është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ne, edhe në këtë aspekt do kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me sipërmarrjen në mënyrë që të ketë një trajnim të vazhdueshëm. Shteti do të krijojë të gjithë lehtësirat”.

Duke hedhur sytë nga rivalët në pushtet, pohoi se socialistët e drejtuar nga Edi Rama nuk kanë program. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos