Kryeministri Edi Rama ka reaguar për kontratën e lobimit prej 6 milionë dollarësh të Partisë Demokratike në SHBA. Nga Petrela ku ndodhet për një takim elektoral me banorët e kësaj zone, Rama e cilësoi atë në shkelje flagrante me ligjet e Shqipërisë.
“Kjo është në shkelje flagrante me çdo ligj të Republikës së Shqipërisë se ligji i Republikës së Shqipërisë është shumë i qartë sa donacione mund të marrësh, sa financim mund të marrësh etj”, theksoi Rama.
Sipas kryesocialistit kjo bëhet për të pastruar “damkën e bufit të kënetës”, ndërsa hedh dyshime mbi financimet e patriotëve shqiptarë.
“Dje shqiptarët kanë parë një kontratë të pabesueshme të kënetës me një grup magjistarësh amerikanë, siç i quajnë. Dhe 6 milionë dollarë janë deklaruar, në bazë të ligjit amerikan duhet të deklarohen se ndryshe është krim shumë i rëndë, janë deklaruar si pagesë nga ana e kënetës për të pastruar damkën nga balli i bufit të kënetës. Është thënë që kjo kontratë është një kontratë që financohet nga një grup patriotësh. Nuk dihet kush janë, nuk dihet sa janë. Flitet për patriotë. Kjo më kujton vjehrrat dhe baxhanakët dhe krushqit e atyre prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar që kur kaluar procesin e vetingut nuk kishin si justifikonin apartament e e lloj-lloj pasurish dhe thoshin këto m’i ka dhuruar vjehrra, këto na i ka lënë baxhanaku. Domethënë nga ai proces u krijua një perceptim sikur vjehrrat ishin gjel që bënte vezë të arta. Njësoj edhe me këta patriotët. Sidoqoftë edhe sikur të ekzistojnë këta patriotë, që një mendje fare normale e dyshon. Se kjo të kujton edhe shokun tonë Lulin që e vunë përpara të shkretin për 500 mijë dollarë. Ndërkohë që këtu dolën 6 milionë dollarë”.
Rama thekson se shpallja non grata e Berishës nuk është aq e thejshtë dhe sjell në vëmendje edhe akuzat e Berishës ndaj tij dhe Sorosit për komplot ndaj kryedemokratit.
“Nuk qenka aq e thjeshtë sa ç’u bë. Jo për ne, se ne e dimë që s’ishte dhe s’është fare aq e thjeshtë, por sa ç’ ishte për atë pjesë të popullit që do të besojë tek të gjithë përrallat e bufit të kënetës. Nuk qenka aq e thjeshtë sa ç’u bë që këtu qenka një komplot ndaj një burri të ndershëm që papritur e pa kujtuar u ngritën SHBA-të dhe e damkosën sepse unë, Edi Rama, me Sorosin bëmë një konspiracion dhe ky i shkreti viktimë e pafajshme. Dhe në momentin që ndryshoi administrata në SHBA gjithçka do të çlirohej, do të pastrohej, do rregullohej edhe ky buf do shfaqej si pëllumb i bardhë i gatshëm për ta marrë përsëri në krahët e tij siç na mori dy herë, një herë përfunduam në rrënojat e piramidave dhe një herë tjetër përfunduam në buzë të humnerës në 2013-ën, mu në prag të një kolapsi total financiar”. (A2 Televizion)