Industria ushtarake, Rama: Rijetëzimi i ish-Uzinës së Autotraktorëve, jo rrezik për banorët

Nga Fjorela Beleshi
28 Prill 2025, 16:20 | Politikë

Kryeministri Rama sqaroi banorët e Shkozës që rijetëzimi i ish-Uzinës së Autotraktorëve për prodhimin e armëve ushtarake nuk do të përbejë rrezik për jetën e tyre të përditshme. Ndërsa vetë qytetarët shfrytëzuan takimin me shefin e qeverisë për të gjetur zgjidhje për problemet e tyre.

Vendimi i qeverisë shqiptare për ta kthyer ish-Uzinën e Autotraktorëve në një qendër për industrinë ushtarake, duket se ka shqetësuar banorët e Shkozës. Për të shmangur pakënaqësitë në kohë fushatë, kryeministri Rama së bashku me ministrin e Mbrojtjes dhe atë të Brendshëm, i cili në këto zgjedhje është edhe përgjegjës politik i zonës për PS-në, organizuan një takim për t’i bindur që nuk ka asnjë rrezik për ta.

“Këtu dhe është krijuar një shqetësim siç ndodh zakonisht në Shqipëri kur mali mbarset për të pjellë një mi, ishte detyrim ynë që t’ju sqaronim nga afër, që të mos zhvillohet më tej gjithë ajo teori konspiracioni që këtu do krijohet një vatër rreziku për jetën e njerëzve”, tha Rama.

Zhvillimi i industrisë ushtarake sipas qeverisë shqiptare do të ndikojë edhe në ekonominë kombëtare me synimin eksportin. Kryeministri lajmëroi që do të prodhohen edhe uniformat për FA dhe Policinë e Shtetit.

“Synimi ynë është që të ndërtojmë një rrjet të plotë të prodhimit në vend për nevojat e Forcave tona të Armatosura, për nevojat e forcave tona të Policisë, për nevojat e forcave tona zjarrfikëse, por edhe për eksport. Nga ana tjetër, do të fillojmë edhe investimin për prodhimin e veshjeve, uniformave ushtarake dhe të policisë në vendin tonë”.

Në takim me Kryeministrin, qytetarët nuk u morën me prodhimin e armëve por shfrytëzuan rastin për të zgjidhur problemet që hasin çdo ditë.

“Rrugët gropa gropa, copë - copë. Një moment që do të bësh një kotec pulash, të vjen IMT, IKMT, policia bashkiake dhe nuk është se të vijnë në zbatim të ligjit, por të vijnë të thonë 5 mijë njëri, 20 mijë euro tjetri”, thotë një qytetar.

“Nëse të vjen dikush dhe të thotë atë që the, ti duhet ta denoncosh, kupton? Unë nuk e përjashtoj që të ketë individë të tillë, por ama kur thua Policia është shumë fjalë e madhe, sepse Policia janë 9000 persona, apo jo?? Nuk mund t’i ngarkosh ti ata me fjalë në ajër”, u përgjigj Rama.

Diskutimi mes qytetarit dhe Kryeministri Rama vijoi edhe pas takimit, ku kreu i qeverisë jo pak herë hodhi dyshime që ankesa u bënë publik për shkak se ai mund të ishte votues i PD. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos