Rihapet debati për komunizmin, krimet e diktaturës kthejnë akuzat “trashëgimore” mes PS dhe PD

Nga Anesti Barjamemaj
30 Maj 2024, 15:12 | Politikë

Raporti vjetor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit riktheu në Kuvend debatin mbi 30-vjeçar për të kaluarën diktatoriale të vendit dhe sjelljen e politikës gjatë demokracisë. Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj u sugjeroi kolegëve kërkimin e një ndjese për të shkuarën e errët komuniste.

“Partia e cila mori trashëgiminë njerëzore, politike, elektorale, kulturore nuk e bëri kurrë këtë , përkundrazi, na buçasin veshët duke dëgjuar për krenarinë e së djeshmes”, u shpreh Gjekmarkaj.

Demokratja tjetër Flutura Açka tregoi një qasje tjetër, duke i bërë të gjithë fajtorë edhe sa i përket trajtimit ndaj ish-të përndjekurve.

“Ne të dy palët politike kemi luajtur me ish-të përndjekurit, ne të djathtët me arnime ligjesh, e duke ua përdorur kauzat dhe votat, e ju të majtët për shkak edhe të ideologjisë, i keni ndarë dhe përçarë, bashkë me përdorimin se po i shpërbleni në 11 vitet e fundit”, tha Açka. 

Teksa Flamur Noka me tone të larta akuzonte deputetët e maxhorancës, Flutura Açka ngjiti në muret e Kuvendit fotografitë e shtatoreve të Stalinit dhe Leninit që prej vitesh qëndrojnë në oborrin e vilës qeveritare ish-bllok.

“Disa prej jush janë akoma që duartrokisnin largqoftin kur ai adhuronte Stalinin dhe Mao Ce Dunin. Askush nuk pret që ju të vendosni drejtësi për krimet e komunizmit, ju jeni inkuizitorë dhe disa të tjerë jeni pjella të inkuizicionit të asaj kohe”, tha Noka. 

Sulmi në bllok detyroi socialistët të reagojnë, duke nënvizuar kapërcimin politik të Sali Berishës me ndryshimin e sistemeve.

“Krimet e komunizmit dënohen kur dënohen kur distancohemi nga ata që janë kanë parë hajrin komunizmin. [...] Mbas 33-vitesh ju keni mundësinë e artë që nuk e bëtë dot por ua bëri drejtësia, që ta largoni komunistin nga kreu i partisë dhe komunizmin nga brenda partisë”, u shpreh ministri Balla.

“E gjithë historia e PD është si tek filmi Vdekja e kalit, ku komisari politik u shndërruar në shef politik. Një eksremist ideologjik, i cili i tillë mbeti edhe pasi u ndryshua forma e regjimit”, tha Petro Koçi.

Qasje tjetër pati Ermonela Felaj, e cila shtriu dorën e bashkëpunimit me demokratët për të votuar ndryshime ligjore që do të mundësonin ndarjen përfundimtare nga e shkuara komuniste.

“Mundësia është për të gjykuar me mendje të pastër, unë këtë thirrje e kam edhe për ata që janë tek grupi Basha, tek grupi Bardhi dhe ata pas Berishës. A ka mundësi për një moment sepse koha po mbaron, ata po mbushin ciklin e jetës dhe po largohen”, u shpreh Felaj.

Pavarësisht kësaj kërkese, diskutimet vijuan me të njëjtën retorikë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos