Noka: Kuvendi i mbushur me adhurues të Hitlerit! Asnjë ndryshim nga regjimi i Enver Hoxhës nga ai i “Edver Ramës”

Nga A2 CNN
30 Maj 2024, 11:55 | Politikë

Noka: Kuvendi i mbushur me adhurues të Hitlerit! Asnjë ndryshim nga

Në një kohë kur në Kuvend, flitet për raportin vjetor të veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit  në Shqipëri, demokrati Flamur Noka tha se kjo qeveri nuk ka asnjë ndryshim nga komunizmi. Nga foltorja e Kuvendit, Noka tha se parlamenti është mbushur me adhurues të Hitlerit, e për rrjedhojë nuk pret nga opozita që të vendosë drejtësi për krimet e komunizmit. Gjithashtu, ai bëri edhe një analogji mes komunizmit të drejtuar nga Enver Hoxha dhe qeverisë së Edi Ramës, ose siç ai e quante “Edveri”.

“Kjo sallë është mbushur me adhurues të Hitlerit, askush nuk pret që ju të vendosni drejtësi për krimet e komunizmit, je ju disa jeni inkuizitorë dhe pjella të inkuizitorit, ju nuk jeni ndarë nga ai regjim dhe mënyra se si qeverisni, vazhdon i njëjti mentalitet, jeni zgjatim në formë dhe përmbajtje i diktaturës dhe komunizmit, ju keni sundimin dhe jo qeverisjen. Një kastë të vogël që kanë gjithçka dhe zhduku shtresën e mesme, varfëroni shqiptarët se doni të sundonte, të njëjtën gjë bënte dhe Edveri juaj, komunizmi, vidhnin paratë e shqiptarëve dhe bënin vila në bllok, ju vidhni taksat e shqiptarëve dhe bëni resorte në bregdet, vila, para në bankat offshore. Ata bënin ligje për t’u marrë pronat, të njëjtën gjë bëni ju, po i quani investitorë strategjikë. Enveri në atë kohë shpalli armike opozitën dhe bënte gjyqe popullore, çfarë bën Edveri juaj sot, po e shpall armike opozitën, e linçoi, gjyqe publike ai me Arianit Celën, ju me Altin Dumanin, survejon gjithë opozitën Edveri i sotëm, futi në xhep ish-kreun e opozitës, Enveri nuk i la shqiptarët të iknin, ndërsa ky i largoi 1 mln shqiptarë, Enveri bënte propagandë, asnjë media të lirë, ndërsa Edveri i sotëm i ka kthyer gjithë TV si Zëri i Popullit dhe si Gazeta Bashkimi, Edveri kontrollon çdo gjë”, tha Noka.

Për Nokën, fundi i kësaj qeverie do jetë i njëjtë me atë të regjimit të Enver Hoxhës.

“Fundi i çdo regjimi është i njëjtë, mos e harroni, kurrë regjimet nuk kanë fund të lavdishëm. Çdo regjim është rrëzuar dhe diktatorët e kanë pësuar nga populli”, u shpreh Noka.

Ndërkohë, socialisti Petro Koço iu përgjigj me ironi.

“Ke të drejtë. Fundi i çdo diktatori është përballë drejtësisë, ashtu siç ka përfunduar lideri historik i PD-së”, u përgjigj Petro Koçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos