Teksa po bëhen 3 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të 11 Majit, Sali Berisha vijon të denoncojë parregullsitë duke pohuar se rezultati nuk do të njihet prej demokratëve. Ai kërkon që të gjithë qytetarët të binden se me Edi Ramën kryeministër nuk ka zgjedhje të lira, ndaj i është rikthyer kërkesës për qeveri teknike dhe premton se së shpejti mund të ketë edhe protesta.
“Ndaj dhe PD do bëjë çdo gjë për të mobilizuar shqiptarët të qëndrojnë për votën e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë diasporën, ndaj përfaqësuesve të narkoshtetit në diasporë. Ata janë përfaqësuesit e shtetit armik të votës së lirë të shqiptarëve”.
Qeverisjen aktuale e quan diktaturë, ndaj sipas tij rruga e vetme për të fituar kundër saj është qëndresa.
“Qëndresa e përgjithshme e qytetarëve shqiptarë është rrugëdalja e vetme nga kjo situatë”.
Tregon edhe njëherë se nuk ka besim te institucionet e drejtësisë, pasi siç pohon ai, krimet zgjedhore duhet të ishin hetuar nga SPAK. Kreun e Prokurorisë së Posaçme e quan mercenar të Ramës dhe e akuzon se ka amnistuar krimet zgjedhore.
“Unë i kam denoncuar Altin Troplinin që në atë kohë dhe e garantoj se do japë llogari gjer në një për këto qëndrime kriminale, antikushtetuese që mban ndaj krimit masiv elektoral të qeverisë. Është pikërisht ky avokat i krimit elektoral pas Edi Ramës, përgjegjësi më kryesor për farsën elektorale”.
Berisha premton vijimin e denoncimeve për atë që e quan farsë elektorale. (A2 Televizion)