Me argumentin se nuk mund të prishë më asnjë provë, pasi dosja tashmë ka kaluar në GJKKO pasi SPAK përfundoi hetimet, ish-presidenti Ilir Meta kërkon sërish lirimin nga qelia.
Kërkesa për ndryshim mase sigurie është depozituar në Gjykatën e Posaçme nga avokatët mbrojtës. Meta kërkon zëvendësimin e masës nga “Arrest në burg” në një masë më të butë, si bllokimi i pasaportës në mënyrë që të mos ketë mundësi të dalë nga Shqipëria.
Sipas avokatit mbrojtës, nuk ekziston mundësia që të prishë provat, dhe nuk ka asnjë kuptim procedural që të mbahet akoma në paraburgim, shkruan A2 CNN.
“Ka edhe një element tjetër që gjykatat se kanë marrë parasysh dhe me dashje e kanë anashkaluar. Fakti që është edhe politikan aktiv, presidenti Partisë Lirisë. I kërkojmë gjykatës, pranimin e kërkesës për zëvendësimin e masës sigurimit personal për të pandehurin Ilir Metaj në një masë tjetër që të jetë proporcionale me rrethanat e krijuara por edhe me personalitetin e tij”, argumenton më tej avokati Kujtim Cakrani.
Kërkesa e Presidentit të Partisë së Lirisë për të lënë qelinë e burgut 313 ku qëndron që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, vjen dy ditë pasi SPAK i komunikoi atij në një seancë prej rreth tre orësh përfundimin e hetimeve dhe kalimin e dosjes në Gjykatën e Posaçme.
Ilir Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për dy dosje, ajo e lobimit të LSI në SHBA dhe dosjen CEZ-DIA.
Krahas Metës nën akuzë janë ish bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, nëna e saj Fatime Kryemadhi dhe dy bashkëpunëtorët Ema Çoku dhe Pirro Xhixho. (A2 Televizion)