Ristani largohet nga Bashkia e Tiranës: Koha, gjykatësi më i drejtë. Do mbetem gjithmonë “xhomllikse”

Nga A2 CNN
31 Gusht 2026, 17:36 | Politikë

Ristani largohet nga Bashkia e Tiranës: Koha, gjykatësi më i

Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, ka njoftuar se largohet nga detyra që mban, pak ditë pasi kryetari, Erion Veliaj, i hoqi delegimin e drejtimit të qytetit.

“Pas më shumë se një dekade në shërbim të qytetit më të bukur në botë, largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën. Atë që të gjithë e lakmojnë, shumë e duan, por pak e kuptojnë”, tha Ristani përmes një njoftimi në Facebook.

“Qyteti për të cilin fillova të punoj 11 vite më parë, kur kaloja distancën e shkurtër por të gjatë të sheshit “Skënderbej“ që vetëm shesh nuk mund të quhej, është sot pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, që nuk dinë t’i vënë tamam një emër joshjes që ndjejnë, pasi pika më e fortë e Tiranës është ndjesia e mirë që të jep. Jam pa masë mirënjohëse për të gjithë bashkudhëtarët e kësaj përvoje të papërsëritshme, dhe për qytetarët që thyen paragjykime shekullore dhe stereotipe brezash për t’u shfaqur të bukur dhe krenarë në të gjithë botën.

Koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm. Në respekt të kohës, asaj që do të vijë, lipset që qytetin ta shohim pak më tonin e ta duam për atë që jemi, jo për atë që mund të na bëjë”.

“Dhe sa për mua, unë do të mbetem gjithmonë “xhomllikse” edhe pse kam lindur në Tiranë të Re dhe jam rritur përtej oqeanit.

Largohem sot me mbështetjen dhe dashurinë e atyre që për mua kanë më shumë rëndësi.

Faleminderit të gjithëve! A.”, shtoi ajo.

Më 28 gusht, Veliaj firmosi nga qelia e burgut në Durrës largimin e Anuela Ristanit si kryebashkiake e komanduar, por pa ndryshuar pozicionin e saj si nënkryetare. Në vendim thuhet se një nga arsyet lidhet edhe me moszbatimin dhe refuzimin e urdhrave të drejtpërdrejtë të kryetarit Veliaj. Sipas Bashkisë, kjo situatë ka krijuar probleme në zinxhirin e përgjegjësisë dhe drejtimit të institucionit.

Veliaj u arrestua në 10 shkurt të vitit të shkuar. 7 muaj pas këtij momenti këshilltarët e PS dhe PD bashkuan votat duke e shkarkuar. Si pasojë Veliaj ankimoi në gjykatën kushtetuese e cila e riktheu në detyrë. Në nëntor ai u rikonfirmua në detyrë me argumentin se nuk ka një vendim dënimi të formës së prerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos