Udhëtimi nga Shëngjini në Velipojë tashmë mund të kryhet përmes rrugës së re të përfunduar, e cila kalon përgjatë bregdetit. Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë aks rrugor si një mundësi për të rritur numrin e turistëve në të gjithë zonën, duke pasur një ndikim të rëndësishëm në ekonominë vendore dhe atë kombëtare.
“Përfundimi i kësaj rruge të re është vërtet një moment lehtësimi, sepse me këtë rrugë të re i zbulojmë shqiptarëve, por edhe turistëve, një pjesëz të magjishme të Shqipërisë që deri dje ishte e paaksesueshme. Patjetër që fuqizojmë mbështetjen për të gjithë ekonominë vendore të Shkodrës dhe Lezhës. Nuk diskutohet që kjo do të sjellë të ardhura të tjera për ekonominë tonë kombëtare”, tha Rama.
Në prani të kryetarëve të bashkive të Shkodrës dhe Lezhës, si dhe të tur-operatorëve të dy qyteteve, shefi i qeverisë shqiptare premtoi mbështetje edhe për projekte të tjera infrastrukturore.
“Bypass-i i Shëngjinit... rruga e Tales... Gabimet që deri më sot janë lejuar nga pushteti vendor dhe ai qendror në bregdet, duhet të marrin fund. Duhet të ndërtojmë me standarde europiane përgjatë bregdetit të Adriatikut”, tha Rama.
Ai i kujtoi strukturave të hotelerisë marrëveshjen për deklarimin korrekt të shtretërve të zënë gjatë sezonit turistik. “Kjo është një nga zonat më të bukura të Europës. Meriton një zhvillim me standardet më të larta. 65% e netëve realizohen gjatë verës dhe 35% në dimër”, tha Rama.
Edhe bizneseve të tjera, Kryeministri u rikujtoi nismën për paqen fiskale, e cila shmang ndërhyrjen e autoriteteve shtetërore dhe kontrollet tatimore.
Mosrealizimi i projektit për ndërtimin e urës mbi lumin Buna, që do të lidhte Shkodrën me Ulqinin, u justifikua nga Kryeministri me burokracitë e Malit të Zi. Në praninë e dy kryetarëve socialistë të Shkodrës dhe Lezhës, Edi Rama nuk harroi as batutat: “Njëri është zonja Shkodër, tjetri: Policia, ndalo! Rregullo gabimet!”. (A2 Televizion)