Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha gjatë fjalimit të tij të mbajtur në aktivitetin “Global Woman Club Diaspora 2025 Wo-Men” theksoi se fuqizimi i gruas në Policinë e Shtetit dhe Administratë nuk është më thjesht një synim, por sipas tij është një realitet që po ndërtohet çdo ditë. Gratë sot sipas tij, janë gjithnjë e më të pranishme në strukturat e rendit dhe sigurisë, jo vetëm si punonjëse, por edhe në role drejtuese.
Hoxha tha se ato sjellin perspektivë, ndjeshmëri dhe zgjidhje inovatore për sfidat moderne të sigurisë. Ministri Ervin Hoxha në fjalën e tij vuri ne dukje se “në këtë hapësirë ku energjia e ndryshimit, barazia dhe fuqia e gruas janë fokus i bisedës.
Kjo qasje nuk është më retorikë, por angazhim real për të shtuar prezencën e përfaqësimin e tyre edhe në radhët e institucioneve që garantojnë rend dhe siguri publike. Në këtë pikë, përfaqësimi në politikë është një hap para”.
“Deri para pak vitesh institucionet e sigurisë shiheshin 'punë burrash', mirëpo në vite figura femërore iu bashkuan Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, në radhët e tyre dhe në nivele drejtuese. E për këtë, ndaj bindjen time të plotë me ju, se sistemi bëhet më i ndjeshëm ndaj nevojave të qytetarëve dhe pse jo, garanton politikat e sigurisë të vijnë më natyrshëm tek shoqëria. Se kjo është natyrë e tyre, si nëna, motra, bija e bashkëshorte”, u shpreh Hoxha.
Ai shtoi më tej se përfaqësimi i grave në Policinë e Shtetit është në rritje, janë vendosur kuota gjinore për rekrutimet e reja, një hap konkret drejt barazisë së mundësive, ndërsa administrata e Ministrisë së Brendshme përbëhet në shumicë nga femra, përfshirë edhe pozicionet më të larta drejtuese.
Ministri i Brendshëm vuri në dukje se në një botë ku krimi dhe sfidat e sigurisë sofistikohen me kohën, nevojiten qasje të reja dhe inovative.
“Gratë sjellin perspektiva thuajse unike në zgjidhjen e problemeve, në menaxhimin e krizave dhe në ndërtimin e besimit midis komunitetit dhe institucioneve. Ato nuk kërkojnë privilegje në polici apo administratë – kërkojnë mundësi të barabarta për të provuar vlerat, për të udhëhequr dhe për të kontribuar për një Shqipëri më të sigurt”, theksoi Hoxha.
Ai bëri thirrje për më shumë mbështetje dhe bashkëpunim mes burrave e grave brenda këtyre institucioneve, duke e mbyllur me një mesazh të fuqishëm “Fuqia e një gruaje në uniformë nuk është vetëm për të ndryshuar sistemin. Është për të ndryshuar botën që ai sistem ka për detyrë të mbrojë”. (A2 Televizion)