“Salianji, i deleguar nderi në Elbasan”, Berisha: 6 tetori protestë kombëtare, Rama na ka shpallur luftë

Nga Anesti Barjamemaj
28 Shtator 2024, 15:57 | Politikë

“Edi Rama këtë luftë e shpalli me kohë.”

Burgosjen e deputetit demokrat, Ervin Salianji, Sali Berisha e konsideroi akt lufte nga mazhoranca dhe premtoi qëndresë, protesta dhe mosbindje civile. Gjatë një konference për mediat, kreu i demokratëve u pyet për mënyrat e mosbindjes civile dhe nëse mes tyre do të ishin mos zbatimet e vendimit të gjykatave, pohoi se Partia Demokratike nuk do të shkojë në akte kaq ekstreme.

“Ajo do të ishte shkalla ekstreme e moszbatimit të vendimeve të gjykatave, atëherë mbetej asgjë tjetër veç se lëvizja guerrile, me armë kundër narkodiktaturës. Por ne besojmë dhe jemi të bindur se mosbindja civile është rruga me të cilën PD, do të realizojë qëllimet e saj. Nuk jemi ne për ato forma ekstreme”.

Lidhur me protestën e 6 tetorit, lideri i opozitës sqaroi se tubimi do të jetë kombëtar, ku grumbullime nuk do ketë vetëm në Tiranë por edhe në qytete te tjera.

“Së pari do të jetë pa diskutim protestë kombëtare. Kjo jashtë çdo dyshimi. Së dyti, do të jetë aksion kombëtar. Po përcaktohen të gjitha masat të cilat synojnë ti përgjigjen në shkallë kombëtare aktit brutal të mafias Rama-Xhafa”.

Reagim kërkoi edhe nga deputetët në Kuvendin e Shqipërisë.

“Deputetët e opozitës do të jenë në çdo vend, përfshirë dhe sallën e parlamentit, aty ku të lipset dhe t’i kërkojë nevoja, ku të japin më shumë në këtë betejë. Për deputetë, drejtuesit e PD, ka vetëm një objektiv dhe moto,betejë, betejë dhe vetëm betejë”. 

Teksa zgjedhjet e vitit 2025 po afrojnë, burgosja e Ervin Salianjit i dikton Sali Berishës dhe vendimin për ta zëvendësuar atë si drejtues politik në qarkun e Elbasanit. A2CNN e pyeti nëse kishte gati një emër tjetër për ta deleguar në Elbasan, por kreu i PD nuk zbuloi detaje. 

 “I deleguari i nderit në qarkun e Elbasanit do të jetë Ervin Salianji”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos